Digjen natën shpalljet e të vdekurve
BERAT - Një fenomen që ka shokuar banorët e Beratit ka ndodhur gjatë natës duke u gdhirë e shtuna. Persona ende të paidentifikuar, për qëllime ende të paditura kanë djegur shpalljet për personat që kanë vdekur si dhe përkujtimoret e vendosura nga familjet e të ndjerëve. "Të sulmosh të vdekurit nuk ka krim më të shëmtuar", u shprehën dje familjarë të së ndjerëve dhe qytetarë të Beratit. Ata i kërkuan policisë që të gjenden personat, të cilët sipas tyre kanë dhunuar të vdekurit. Djegia e fletëve të lajmërimeve të vdekjeve ka krijuar anomali edhe tek të afërmit e të vdekurve. Shumë persona nuk janë njohur me fatkeqësinë e të afërmve të tyre, disa të tjerë me orarin e varrimit, etj. Ky është rasti i dytë ku persona të paidentifikuar djegin natën lajmërimet e të vdekurve. Policia bëri të ditur se është duke hetuar ngjarjen, por ende nuk ka ndonjë person të arrestuar. d.xh