Orë islami nëpër shkolla, ndizen polemikat në Itali
Zëvendësministri për zhvillimin ekonomik në Itali, Adolfo Urso ka propozuar që në shkollat publike dhe private të shtohet një orë mësimi për fenë islame. Propozimi i tij ka provokuar ulërimat e nacionalistëve e antiemigrantëve në qeverinë Berluskoni të “Lega Nord” dhe të peshkopëve, të cilët janë hedhur kundër idesë. Por ai që ka çuditur politikanët dhe median në Itali, ka qenë Massimo D’Alema. “Eshtë një ide e drejtë”, është shprehur ai. Promovuesi i iniciativës është shprehur se “ata që do të japim orën e Islamit duhet të jenë docentë të njohur italianë, apo edhe imamë, me kusht që të regjistrohen në një vend të veçantë”. Fondacioni “Farefuturo” (të bëjmë të ardhmen) i drejtuar nga Gianfranco Fini është nga mbështetësit kryesorë të propozimit: “Nuk është provokim. Nëse duam një islam të moderuar dhe të integruar, larg radikalizmit, duhet t’ia nisim nga shkolla ku formohet qytetari i së ardhmes”, thuhet në fondacionin e tij. Ndërsa D’Alema shtoi se “Në një botë ideale do të ishte e drejtë një orë mësimi nga të gjitha fetë”. Por peshkopët kanë kritikuar ashpër nismën. “Kjo është një ide e pa praktikueshme”, the me ton të fortë kardinali Ersilio Tonini. “I kuptoj qëllimet por pas këtij propozimi ka pasaktësi. Duhet kujdes maksimal në qëndrimin me Islamin”. Roberto Castelli, senator i “Lega Nord” tha se ky propozim është vetëm nj provokim që vjen pas atentatit në kazermën e Milanos. Luca Zaia, (Lega Nord) ministri i Agrikulturës, hodhi idenë e kundërt, “ora e fesë katolike duhet të jetë e detyrueshme për të gjithë studentët islamikë,për të mësuar më mirë kulturën tonë”. Studentët emigrantë janë shtuar 10 vitet e fundit nga 25.756 në vitin 1990 në 147.406 në vitin 2000 me rritje vjetore 28 mijë studentë.