Maldive: Qeveria mban mbledhje nën ujë
Qeveria në Maldive ka mbajtur dje mbledhjen e parë në histori nën ujë. Të ulur në 3.8 metra nën ujë, me kostume palombarësh e tryeza pune, Presidenti Mohamed Nasheed dhe 11 ministrat e kabinetit të tij kanë përdorur sinjale me duar për të komunikuar përpara nënshkrimit të deklaratës që u bënte thirrje të gjitha kombeve të “bashkojnë duart dhe të ulin emetimet e karbonit në atmosferë në më pak se 350 ppm”. Niveli aktual i karbonit në atmosferë është 390 ppm. Ata qëndruan ulur pranë tavolinës për 30 minuta, ndërsa komunikonin duke shkruar në një dërrasë të bardhë plastike. Takimi i kabinetit nën ujë kishte synimin të tërhiqte vëmendjen për shqetësimin e ishujve Maldive mbi ndryshimet klimaterike. Në vitin 2007, Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike në OKB parashikoi rritjen e nivelit të detit në atë sasi sa brenda 100 viteve ishujt Maldive do të përmbyteshin. “Nëse Maldivet nuk mund të shpëtohet sot, ne nuk besojmë se ka shumë shpresa për pjesën tjetër të botës”, tha Nasheed pas takimit, duke lundruar. “Ndryshimet klimatike janë një çështje serioze që kërkojnë vëmendjen e të gjithë botës”, tha presidenti. Ai kërkoi që marrëveshja e Kopenhagenit mbi Ndryshimet klimatike të mbyllet në dhjetor, “në mënyrë që të gjithë të mbijetojnë”.