E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova ratifikon kufirin me Maqedoninë, në Shkup debate

 

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar pas votimit të dytë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, e cila u miratua nga qeveritë në Prishtinë dhe Shkup orët e vona të së premtes. Ratifikimi i saj dështoi në votimin e parë, meqë Kuvendi në Prishtinë nuk arriti të mbledhë dy të tretat e votave të deputeteve, të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Nga votimi i parë 67 deputetë ishin pro, 7 kundër, ndërsa 9 abstenuan. Më pas u mbajt një takim mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe shefave të grupeve parlamentare. Para votimit të dytë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesnin marrëveshjen. Ai shprehu bindjen se me ratifikimin e marrëveshjes, fillon një epokë e re e zhvillimit të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë. Kryeministri Hashim Thaçi, u tha deputetëve se marrëveshja e arritur me Shkupin, rikonfirmon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe “forcon pozitën e saj lidhur me procesin e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë, që do të mbahet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”. Në votimin e dytë në seancën e jashtëzakonshme, marrëveshja u ratifikua me 81 vota pro, tri vota kundër dhe dy abstenime. Marrëveshja u ratifikua pas muaj të tërë negociatash mes grupeve të ekspertëve nga të dy vendet, duke tentuar përmirësimin e gabimeve të marrëveshjes së vitit 2001. Thaçi sqaroi se Qeveria e Kosovës sërish nuk ka pasur mandat për definimin e vijës kufitare, por vetëm për shënimin e saj fizik. Nga marrëveshja një pjesë e fshatrave të Kosovës i mbetën Maqedonisë. Thaçi iu premtoi qytetarëve të Kosovës, prona e të cilëve kalon në shtetin maqedonas, se ata nuk do të jenë të dëmtuar. Ndërsa në Shkup deri në mbrëmje ka pasur debate të ashpra mes pushtetarëve dhe opozitës në Komisionin parlamentar të politikës së Jashtme, që më pas marrëveshja të kalonte për ratifikim në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›