E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga “agjentit të Interpolit”, mashtroi familjet e viktimave të 9 janarit

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Mashtronte familjet e viktimave të 9 janarit për gjetjen e eshtrave, zbulohet pas 5 muajsh. Një 51-vjeçar, i cili hiqej si agjent i Interpolit, u arrestua dje nga policia e Lezhës në një operacion të befasishëm të koduar "Grepi". Prej kohësh, Gjin Ndrecaj vepronte me emrin e rremë, Gjon Marku, duke u përpjekur të zhvaste para nga familjet e 8 personave që jo vetëm humbën jetën në tragjedinë e Karaburunit pesë vjet më parë, por trupat e tyre nuk u gjetën kurrë. Banori i fshatit Spitën, komuna Zejmen në Lezhë po tentonte ta kthente dhimbjen e tyre në biznes, por falë denoncimit të një prej familjarëve dhe hetimeve të policisë së Lezhës u bë prangosja e tij në flagrancë. Telefonatat në adresë të familjeve të 8 viktimave ai i kishte nisur prej muajsh. "Jam agjent i Interpolit. Në bregun italian kanë gjetur eshtrat e një njeriu që dyshohet se i përket të afërmit tuaj që vdiq në tragjedi". Kështu e niste bisedën Ndrecaj, duke vazhduar më tej me kërkesën për paratë që i duheshin për të sjellë eshtrat në Shqipëri e më pas për të kryer ekspertizën e analizat e ADN-së për të verifikuar identitetin. Deri në 100 mijë lekë kishte kërkuar ai për këtë proces. Një prej familjarëve të viktimave, banor në Lezhë pas disa telefonatave me "agjentin e Interpolit", i është drejtuar policisë. Ndonëse prej kohësh ata kërkojnë nga shteti gjetjen e trupave të pajetë, biseda me personin e quajtur Gjon Marku nuk ka qenë bindëse. Ai i është drejtuar policisë, duke u interesuar për punonjësin e Interpolit. Përgjigjja negative që mori ka bindur për mashtrimin në telefonatat e kryera prej 51-vjeçarit. Rreth 1 muaj më parë, sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës, Eljona Nika, familjari kishte denoncuar në polici "agjentin". Tashmë hynë në veprim strukturat e policisë, të cilat mbajtën nën vëzhgim veprimtarinë e Gjon Markut. Pas hetimeve të kryera është nxjerrë konkluzioni se bëhet fjalë për një mashtrues. Paraditen e djeshme, nën vëzhgimin e policisë, familjari i të zhdukurve të 9 janarit, ka shkuar të takojë "agjentin e Interpolit" e për t'i dorëzuar shumën e parave të kërkuar. Pika e takimit ishte caktuar në kryqëzimin e Shëngjinit, në Lezhë, pikërisht në vendin ku nisen furgonët drejt Shkodrës. Sapo i është dorëzuar zarfi me 50 mijë lekë të reja në dorë, policia ka ndërhyrë, duke i vënë pranga mashtruesit, me akuzën e "vjedhjes me anë të mashtrimit". Nga verifikimi i identitetit të tij u mësua se emri i vërtetë ishte Gjin Ndrecaj. Sipas burimeve policore, deri tani ka pasur vetëm një denoncim konkret për këtë ngjarje, ndërsa i ndaluari nuk ka folur për asnjë çast për policinë. Gjatë kontrollit në momentin e kapjes, autorit iu gjet një granatë dore, së bashku me ndezësin, një pasaportë me emrin Nikolin Ndoj, karta e identitetit të një vajze, telefona, fletore me adresa, etj.

TE ZHDUKUR

Ndue Sanaj, 21 vjeç
Artan Sagrini, 33 vjeç
Arian Gjilaj, 29 vjeç
Marjana Zajeti, 18 vjeçe
Kreshnik Bjeshka, 25 vjeç
Fahrije Mehmeti, 34 vjeçe
Gjin Grizha, 19 vjeç
Ermira Grizha, 16 vjeçe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›