E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjen varrezat e Korçës, policia nis hetimet

Autori i Lajmit: red.
Një zjarr i shkaktuar në varrezat publike të qytetit të Korçës ka rrezikuar të dëmtojë me flakët e tij një numër të konsiderueshëm varresh, por është shuar falë pranisë së punonjësve të shërbimeve publike që janë caktuar për sigurinë dhe mirëmbajtjen e tyre. Vatra e zjarrit është shkaktuar ditën e martë në një prej parcelave të varrezave publike, duke dëmtuar të paktën 4 varre që janë djegur në pjesën e jashtme të tyre pavarësisht mbulesës prej mermeri. Burime të policisë së Korçës që janë sinjalizuar për rënien e këtij zjarri në varrezat publike të qytetit thanë se ai është shkaktuar aksidentalisht dhe nuk ka qenë i qëllimshëm. Nga hetimet e policisë ka dalë se zjarri në varrezat e qytetit të Korçës mund të jetë shkaktuar nga ndezja e qirinjve dhe pakujdesia e njerëzve që shkojnë për të nderuar e kujtuar të afërmit e tyre në këto varreza. Edhe punonjësit e shërbimeve publike që kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit thanë se ai është përhapur nga pakujdesia dhe sendet e thara që ndodhen pranë varreve. Ndërkaq, nga qytetarë korçarë që u janë dëmtuar varret e të afërmve të tyre nga rënia e këtij zjarri janë kërkuar masa më të forta kontrolli për të shmangur dëmtimet në varreza, qofshin këto të qëllimshme apo nga pakujdesia. Një dukuri që vazhdon të mbetet shqetësuese për varrezat publike të qytetit të Korçës është ajo e vjedhjes së vazove apo objekteve prej bronzi dhe shitja e tyre për skrap. Policia bëri të ditur se pak ditë më parë është kapur sërish një grup adoleshentësh që vidhnin vazo zbukuruese prej metali në varrezat publike të qytetit. Bashkia që ndodhet nën presionin e qytetarëve për të rritur sigurinë në varrezat publike është detyruar që të marrë në ruajtje me punonjësit e saj të shërbimeve publike varrezat. Ndërkaq, për të evituar edhe dëmtimet e tjera është ndaluar edhe hyrja e mjeteve në varreza.
Ky lajm është publikuar: 21/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›