E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në puset e naftës, rrezikohen 30 punonjës

Autori i Lajmit: red.
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë dje dy puse nafte në zonën e Marinzës. Flakët janë identifikuar në një sipërfaqe me shkurre, ndërkohë që era i ka përhapur ato deri në puset e naftës. Mjetet zjarrfikëse të kompanisë "Albpetrol" kanë qenë të parat që kanë ndërhyrë për të lokalizuar flakët, por është dashur ndërhyrja edhe e dy mjeteve të Repartit të Mbrojtjes nga Zjarri në prefekturë që situata të vihej nën kontroll. Burime nga policia bëjnë të ditur se fillimisht është vënë në rrezik dhe jeta e naftëtarëve, por flakët janë vënë nën kontroll brenda pak minutave. Gjithashtu, për të parandaluar përhapjen e flakëve janë përpjekur edhe mjaft naftëtarë, të cilët me mjete rrethanore dhe me tubo me ujë kanë mbajtur grykat e puseve larg nga flakët.
Flakët janë bërë të rrezikshme rreth orës 15:00. Kanë qenë punonjësit e Ndërmarrjes së prodhimit Marinëz si dhe ata të Sektorit Nr 2 që kanë dhënë alarmin për flakët. Sipërfaqja me shkurre që është përfshirë nga zjarri dhe që është djegur plotësisht është rreth 2 ha. Por për pak minuta, për shkak të erës, flakët kanë përparuar në drejtim të puseve në prodhim dhe të fondit të ndalur të zonës naftëmbajtëse të Marinzës. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se dy mjetet zjarrfikëse të kpmpanisë "Albpetrol" janë mbushur dy herë me ujë, pasi zjarri ishte I fuqishëm. Gjithashtu, në këtë vatër zjarri kanë mbërritur edhe dy mjete nga Fieri. Për afro 3 orë situata është vënë nën kontroll. Territoret e dy puseve janë përfshirë nga flakët. Këto i janë afruar deri vendburimit të puseve ku dhe ndodhen vulfet dhe pompat. Mbi 30 naftëtarë dhe mbi 12 forca të shpëtimit janë përpjekur për të mbajtur flakët nën kontroll. Është hera e dytë brenda javës që një zjarr me përmasa të mëdha rrezikon zonën e Marinzës, ndërsa numri i zjarreve në të gjithë qarkun e Fierit si dhe në afërsi të zonave naftënxjerrëse për këtë stinë është i lartë.

Ky lajm është publikuar: 21/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›