E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet 79-vjeçari, shpëtojnë nënë e bijë



SHKODER- Një 79-vjeçar nga Shkodra u dogj i gjallë pasi banesa e tij u përfshi nga flakët. Sipas policisë, çezar Ceni gjeti vdekjen në dhomën e tij, ndërsa e gjithë shtëpia u shkrumbua. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në banesën një katëshe të familjes Ceni, e cila ndodhet në lagjen “Perlat Rexhepi”. Bashkëshortja dhe vajza e viktimës kanë mundur të dalin me ndihmën e fqinjëve, por ato nuk kanë shpëtuar dot kryefamiljarin, i cili ishte i sëmurë dhe nuk mund të lëvizte. Ndërsa e shoqja dhe vajza e tij tentuan ta shpëtojnë tavani i shtëpisë kishte nisur të binte nga flakët. Në këtë kohë, në ndihmë të tyre shkuan edhe fqinjët. Por ata arritën të shpëtonin vetëm nënë e bijë, pasi tavani u shkëput dhe nuk iu la mundësi ndërhyrjeje. Zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur për tu futur tek vendi i ngjarjes për shkak të rrugicave të ngushta. Në këto kushte depërtimi i ujit është bërë përmes lidhjes së tubave të ujit, gjë që ka shkaktuar edhe vonesë në shuarjen e flakëve. Lokalizimi i viktimës brenda në banesë nga ana e forcave të policisë dhe zjarrfikësve ka qenë i vështirë për shkak të djegies së trupit dhe rrëzimit të tavanit në dhomën ku ai ndodhej në momentin e zjarrit. Ky është rasti i tretë që në harkun kohor prej një viti, në këtë lagje, vdesin tre kryefamiljarë në të njëjtat rrethana. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›