E Shtunë, 31 Tetor 2026

S‘ka mjek në burg, vdes i dënuari



Fatos Mahmutaj

Vdes i dënuari në ambientet e ajrimit në burgun e Peqinit, të burgosurit protestë për mungesën e shërbimit mjekësor.Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në orën 12:20 kur i dënuari me 8 vite burg Xhemal Ismailaj nga Elbasani ka pësuar infarkt dhe brenda pak minutash ka humbur jetën. Burime nga burgu pohuan se Ismailaj 45-vjeç ka ndërruar jetë pak minuta pasi ka dalë në fushën e ajrimit dhe ka nisur të luajë futboll me bashkëvuajtësit. Ai është ankuar për dhimbje të forta në gjoks dhe është rrëzuar përtokë, ndërsa të burgosurit e tjerë kanë vënë alarmin për ndihmë mjekësore. Brenda pak minutash aty ka mbërritur oficeri i regjimit të brendshëm të institucionit, por ndihmësmjeku që ndodhej në detyrë ka vonuar rreth 40 minuta. Sipas të burgosurve kjo ka qenë arsyeja për të cilën Ismailaj ka humbur jetën pasi i ka munguar ndihma mjekësore. Si pasojë e kësaj vonese të burgosurit janë përfshirë në një protestë duke refuzuar ushqimin. Sipas tyre shërbimet mjekësore të institucionit janë shkak që të burgosurit vuajnë pasoja të rënda nga problemet shëndetësore që kalojnë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Pas mbërritjes në fushën e ajrimit ndihmësmjeku ka pohuar se në momentin që ka marrë njoftimin ndodhej duke i dhënë ndihmë mjekësore një tjetër të burgosuri që e kuronte prej kohësh në të njëjtin burg. Burime të tjera nga burgu pohuan se mjeku i institucionit gjatë ditës së djeshme nuk ndodhej në punë pasi ishte pushim fundjave, ndërkohë që në dispozicion të të dënuarve ka qenë vetëm një ndihmësmjek. Burime nga burgu i Peqinit, pohuan dje se tre muaj më parë në të njëjtat rrethana ka humbur jetën një tjetër i burgosur. Sapo dalin në ajër të pastër dhe nën rezet e diellit të dënuarit nisin të luajnë futboll, çka u shkakton ndryshimin e ritmit të frymëmarrjes dhe qarkullimit të gjakut. Për pasojë kanë ardhur edhe infarktet që u kanë marrë jetën të burgosurve. Sipas burimeve, 45-vjeçari Xhamal Islamaj, i cili humbi jetën dje në burgun e Peqinit ishte nga lagja Fushë-Mbret e qytetit të Elbasanit. Ai ishte dënuar me 8- vjet burg për një krim në familje dhe kishte vuajtur rreth një vit burg. Disa kohë më parë, ai ishte liruar nga Gjykata e Elbasanit, por Gjykata e Apelit e Durrësit e ka kthyer sërish në burg duke urdhëruar arrestimin e tij. Rreth dy muaj më parë ai është rikthyer sërish në qelitë e Peqinit në një sektor të sigurisë së zakonshme të këtij institucioni ku do të vuante pjesën e mbetur nga dënimi, rreth 6 vjet të tjera. Burime nga burgu pohojnë se 45-vjeçari gjatë kësaj kohe ka pasur ngarkesë psikologjike dhe stres, të cilat mund të jenë shkaktarët e infarktit kardiak. Pas autopsisë mjeko-ligjore, ku është konfirmuar vdekja si pasojë e infarktit në zemër, trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve për t’i bërë nderimet e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›