E Diel, 1 Nëntor 2026

Faturisti i OSSH në gjyq për vjedhjen e 26 milionë lekëve



TIRANE – Një faturist i energjisë elektrike pranë OSSH-së dega Tiranë, është dërguar i pandehur në Gjykatën e kryeqytetit me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Prokuroria e Tiranës e akuzon faturistin Lirjan Qirici, për vjedhjen e 26 milionë lekëve me anë të manovrimit në faturimin e energjisë elektrike për qytetarët. Hetimi për abuzimin e faturistit filloi më 22 janar 2010 dhe menjëherë Prokuroria kërkoi masë sigurie ndaj tij me qëllim ndërprerjen e vjedhjes në dëm të qytetarëve. Për pasojë, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” duke i bërë të pamundur faturistit ushtrimin e detyrës. Ndërkohë hetimi për këtë çështje vazhdoi me dokumentimin e abuzimeve. Grupi hetimor grumbulloi të gjitha faturat e lëshuara nga i pandehuri duke analizuar edhe shifrat e dubluara në to e më tej duke nxjerrë edhe dëmin financiar. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, ka qenë vetë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes që ka denoncuar faturistin 37-vjeçar Lirjan Qiriçi për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Një kontroll i brendshëm kishte zbuluar manipulimin e faturave të energjisë elektrike nga i pandehuri dhe më tej specialistët e OSSH-së kanë zbardhur edhe shumën e dëmit financiar të shkaktuar, e cila kap vlerën e 26 milionë lekëve. Pas dokumentimit të skemës së abuzimit, faturisti është dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës, e cila filloi hetimet për disa muaj. Procedimi penal ka përfunduar së hetuari dhe në datën 8 prill 2010, Prokuroria e Tiranës tha se ka dorëzuar në gjykatë dosjen penale në ngarkim të faturistit. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ka rezultuar se i dyshuari ka vepruar me dy fatura. Njërën faturë ku vlera e pagesës “fryhej”, i pandehuri ua dorëzonte qytetarëve duke u përcaktuar detyrim të lartë financiar. Më pas faturën e dytë me vlerën reale të energjisë së shpenzuar, i pandehuri e depozitonte në OSSH duke përfituar diferencën e parave që mbetej nga fatura e parë ilegale në faturën e dytë zyrtare. E gjithë skema e abuzimit realizohej pasi faturisti u dorëzonte faturë qytetarëve dhe u kërkonte paratë kesh në dorë duke u bërë me dije se formalitetet e arkëtimit do t’i kryente ai. I akuzuari kryente derdhjen e parave në arkën e OSSH në vlerën reale të energjisë së shpenzuar dhe më pas diferencën e përvetësonte. Abuzimi dyshohet se ka vazhduar për disa muaj dhe sipas verifikimeve të prokurorisë, vlera totale e parave të përfituara nga i dyshuari është 26 milionë lekë. Grupi hetimor ka realizuar edhe një ekspertim kontabël për të sqaruar juridikisht veprën penale të kryer nga i pandehuri me anë të manipulimit të faturave të energjisë elektrike. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›