E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesticidet, në rrezik 50 mijë banorë



KUçOVE/ DILAVER XHELILI

Lëndët kimike që përdoreshin për përpunimin e naftës bruto në Kuçovë rrezikojnë jetën e 50 mijë banorëve të kësaj zone. Tubacionet që i shkarkonin ato, me mbikëqyrjen edhe të specialistëve përkatës, janë bllokuar. Tashmë një pjesë e lëndëve kimike e pesticideve ndodhen në sipërfaqe. Me gjithë ankesat e banorëve, por edhe evidentimin e rrezikut nga bashkia, problematika ende nuk ka gjetur një zgjidhje.
“Ish- uzina e përpunimit është kthyer në një zonë vdekjeprurëse. Në përbërje të saj kjo uzinë kishte shumë kimikate të ndryshme dhe shumë të forta në veprim. Madje laboratori i saj ishte një nga më të mëdhenjtë në shkallë vendi ku kryheshin përgatitjet e lëndëve që përdoreshin për përpunimin e naftës bruto” u shpreh një nga specialistët, i cili për shumë dekada ka punuar në këtë uzinë, sot i papunë. Mbetjet kimike shkarkoheshin në një gropë të madhe dhe më pas me anë të tubacioneve me dimensione të mëdha, ato shkarkoheshin në lumë. Gjithçka kryhej nën mbikëqyrjen e specialistëve kimistë. Por tashmë këto tubacione janë të bllokuara ndërsa kimikatet që kanë mbetur në këtë gropë rrezikojnë jetën e banorëve. Ndonëse gropa është mbuluar me dhe, gërmimet e personave për të gjetur hekur për ta shitur, i kanë sjellë sërish ato në sipërfaqe. Ajo çka është më e rrezikshme është fakti se në afërsi të këtij territori janë ndërtuar banesa nga persona të ardhur nga zonat e thella malore. Bashkia e qytetit ka bërë një projekt për ta kthyer këtë territor në një zonë industriale duke kryer dhe punime dezinfektuese nga një firmë çeke. Por ende nuk po shihet asnjë veprim tjetër, ndërsa qytetarët vijojnë të kryejnë ndërtime mbi këtë sipërfaqe të helmuar, e cila ndodhet në afërsi të qytetit në lagjen “Distileria”. Uzina e përpunimit të Naftës është ndërtuar rreth 45- vjet më parë. Nga ky përpunim nxirrej edhe vajguri i një cilësie të lartë, e cila përdorej për avionët dhe për eksport. Gjithashtu prodhohej edhe graso speciale, bitum dhe naftë e pastër. Në këtë uzinë kanë qenë të punësuar rreth 500 punëtorë, specialistë. Por pas shkatërrimit të uzinës ata mbetën të papunë, duke shkaktuar varfëri në këtë qytet. Pas viteve të demokracisë, uzina u shkatërrua, sidomos në periudhën e 97-ës ku në të nuk u la asgjë. Banorët plaçkitën të gjitha pajisjet dhe makineritë e saj për t’i shitur. Sipas burimeve, në këtë magazinë ka pasur mallra të cilat kapnin një vlerë në miliarda lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›