Humbet Skënderbeu, Tirana merr 3 pikë Evrope ndaj Teutës
Leonard Karaj
Tirana, Vllanzia, Flamurtari e Besa siglojnë fitoret e radhës Skënderbeu ndalet në shtëpi, ashtu sikundër Dinamo, ndërsa Laçi-Shkumbini ndahen pa gola. Dinamo bëri një tjetër hap fals në përfundimin para kohe të kampionatit, teksa humbi 1-2 në “Qemal Stafa” me Vllazninë. Emiljano Vila shënoi në minutën e 52-të për blutë e kryeqytetit ndërsa Ansi Nika dhe Bllazho Rajoviç kthyen gjithçka në favor të kuqebluve në harkun e vetëm 2 minutave lojë. Goli i dytë i shkodranëve u shënua nga pika e bardhë e penalltisë e shkaktuar nga kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha. Ky i fundit u ndëshkua edhe me kartonin e kuq në minutën e 81-të kur shkaktoi edhe 11-metërshin. Shkodranët, tashmë janë në kuotën e 39 pikëve, po aq sa Laçi dhe Shkumbini, që barazuan pa gola midis tyre në Laç.
Korçarët
Ndërkohë, në Korçë, ndeshja e shumëpritur mes Skënderbeut vendas dhe Flamurtarit ka prodhuar surprizën më të madhe të kësaj jave. Korçarët janë mundur brenda në shtëpi nga kuqezinjtë e Vlorës falë një goli të shënuar nga Grami, që në pjesën e parë. Flamurtari merr 3 pikë tepër të çmuara, ndaj një rivali direkt, ndërsa bardhekuqtë vijojnë të mbeten në luftën për mbijetesë. Kanë qenë pikërisht këto dy ndeshje, luajtur në “Qemal Stafa” dhe në Korçë, që i kanë ngatërruar jo pak punët në Superligën shqiptare. Tashmë, Vllaznia e Shkodrës, nga një skuadër që luftonte ethshëm për mbijetesë, e shikon veten të katapultuar në luftën për në Kupat e Evropës. Nga ana tjetër, Flamurtari i fut sërish ethet e mbijetesës Skënderbeut, që kishte shënuar vetëm fitore në fazën e tretë.
Krutanët
Një surprizë të këndshme ka bërë edhe Kastrioti në Ersekë, teksa ka mundur 1-0 Gramozin vendas. Një gol i shënuar nga Babiç, në pjesën e parë, ka mbetur i paprekur deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Tri pikë për krutanët, që bëjnë autokritikën e duhur për humbjen e javës së shkuar në shtëpi me Skënderbeun, ndërkohë që Gramozi e ka siguruar tashmë rënien një kategori më poshtë, madje do t’i luajë ndeshjet e mbetura pa praninë e tifozëve të vet, pasi është dënuar. Një fat të tillë e ka përjetuar edhe ndaj Kastriotit të Krujës.
Bardheblutë
Ndërsa Tirana po rigjen vetveten me Sulejman Starovën në drejtim. Bardheblutë kanë marrë vendin e tretë falë tre golave të shënuar dje, dy në portën kundërshtare dhe një në portën e vet (autogol). Devolli realizoi si për skuadrën e tij, Tiranën dhe për ish-skuadrën e disa sezoneve më parë, Teutën, ndërkohë që goli i Muzakës ka vulosur fitoren bardheblu. 3 pikë, që e shpien Tiranën të vetme në vendin e tretë, ndërsa humbja e Teutës ia ndërlikon tej mase pozitat e saj. Sepse e shikon veten në vendin e dhjetë, vetëm një pikë më shumë se Apolonia e parafundit. E cila, nga ana e vet, në ndeshjen e radhës në Kavajë, është mundur 2-0 nga Besa. Kavajasit nuk kanë toleruar aspak në fushën e tyre, teksa kanë realizuar dy herë, në secilën pjesë, në fillim me Shkëmbin dhe pastaj me Sinanin. Miqtë nga Fieri kanë kontestuar gjykimin, veçanërisht në golin e dytë, duke protestuar për një pozicion jashtë loje.