E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë në Universitet, në kërkim dy studentët e Stomatologjisë



TIRANE - Dy studentë të Fakultetit të Stomatologjisë në një universitet privat në Tiranë, u shpallën në kërkim nga policia e kryeqytetit, pasi dyshohet se u shisnin bimë narkotike studentëve të universitetit ku studionin edhe ata vetë. Burime nga policia thanë se ata janë zbuluar dy ditë më parë, pas arrestimit të personit që i “furnizonte” studentët, duke iu dhënë pakot me hashash që t’ua shisnin bashkëmoshatarëve të tyre. Efektivat e Komisariatit nr.3 në bashkëpunim me oficerët e Antidrogës, ndaluan dy ditë më parë dy të rinj, Haxhi Lleshin, 20 vjeç, me origjinë nga Dibra dhe banues në Tiranë, gjithashtu u arrestua dhe një moshatar i tij, Artan Doda, i cili u la i lirë pas marrjes në pyetje dhe po hetohet në gjendje të lirë. Burimet shpjeguan se dy të rinjtë u kapën tek rruga “Mine Peza”, pranë rajonit të policisë, me 5 qese me bimë narkotike. Nga zbardhja e tabulateve telefonike, rezultoi se ata bashkëpunonin me dy studentë të Stomatologjisë, në një universitet privat, Taulant Naçi dhe shoku i tij Dorjani, të dy nga Fieri dhe banues në një shtëpi me qira, tek “Shallvaret” në Tiranë. Gjatë kontrollit të banesës së tyre, mësohet se janë gjetur edhe 7 qese me bimë narkotike, të cilat sipas policisë do të shpërndaheshin në universitet nga dy studentët. Të dy personat që u përkiste bima narkotike e gjetur në banesë, janë shpallur në kërkim policor, ndërsa mësohet se Policia e Tiranës ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Policisë së Fierit, për të verifikuar nëse ata janë kthyer tek familjet e tyre gjatë fundjavës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›