E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri “Antimafia” rihap 300 dosje



Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda po rishqyrton rreth 300 dosje penale personash të akuzuar për vepra të rënda penale të cilëve mund tu bllokohen pasuritë me ligjin e ri “Antimafia”. Ky “aksion” i prokurorisë vjen në një kohë kur ka nisur zbatimi i ligjit të ri “Antimafia”, i cili kapërcen pengesat që krijoi vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë në janar 2007, për bllokimin e pasurive të vendosura nga veprimtaria kriminale. Pikërisht të gjitha dosjet penale të regjistruara dhe të transferuara në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që nga janari 2007 deri në muajin prill 2010, janë “rihapur” nga organi i akuzës, i cili po shqyrton rast pas rasti nëse ekzistojnë kushtet për zbatimin e ligjit të ri, i cili hyri në fuqi në 15 janar 2010. Shkak për pengesat e ndeshura nga Prokuroria në bllokimin e pasurive të grupeve kriminale u bë një vendim unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i shpallur në janar 2007. Ky vendim, urdhëroi të gjitha gjykatat e vendit dhe prokurorinë, të kthejnë në praktikë gjyqësore përmbajtjen e tij e cila me fjalë të thjeshta, ndalonte bllokimin e pasurive të personave të akuzuar për krime të rënda, nëse nuk provohej se pasuria në fjalë është vendosur pas regjistrimit të procedimit penal. Kjo përmbajtje e vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, u bë shkak për bllokimin e rezultateve të arritura më parë nga Krimet e Rënda të cilat nga viti 2004, po i sekuestronin krimit çdo vit pasuri deri në 10 milionë euro. Që nga janari i vitit 2007 kur u shpall vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë dhe deri në vitin 2010, pothuajse të gjitha kërkesat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për bllokimin e pasurive të grupeve kriminale janë rrëzuar. Në vitin 2009, nga pesë kërkesa që u bënë në gjykatë, katër u rrëzuan dhe një është ende në proces. Pas 25 janarit 2010, me hyrjen në fuqi të ligjit “Antimafia”, Prokuroria e Krimeve të Rënda po shqyrton të gjitha dosjet e grupeve kriminale me qëllim për të vendosur në sekuestro pronat e “shpëtuara” nga Gjykata e Lartë. Kjo për faktin se ligji i ri “Antimafia” nuk e lidh sekuestrimin e pasurisë domosdoshmërish me një procedim penal duke kapërcyer kështu pengesat që krijoi Gjykata e Lartë në janar 2007.

Kronologjia

Janar 2007
Gjykata e Lartë, konkretisht Kolegjet e Bashkuara, shpallin një vendim unifikues, i cili urdhëron prokurorinë dhe gjykatat të mos bllokojnë pasuritë që nuk provohet se janë vendosur pas regjistrimit të procedimit penal ndaj të akuzuarit që ka në pronësi pasurinë. Ky vendim nxori jashtë loje, “Ligjin Antimafia” të shtatorit 2004

25 janar 2010
Hyn në fuqi ligji i ri “Antimafia”, i lindur si një domosdoshmëri pas vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë që shkatërroi dhjetëra procedime penale të Prokurorisë dhe vendime të dhëna nga gjykatat për bllokimin e pasurive të vendosura nga anëtarët e grupeve kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›