E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Berisha të heqë dorë nga raprezaliet

06/07/2009  Socialistët i bëjnë apel KQZ-së për numërimin e votave të Fierit

“Çdo veprim është një provokim për elektoratin, gjë që mund ta nxjerrë situatën jashtë kontrollit”

Partia Socialiste lëshoi dje apelin e radhës për Komisionin Qendror Zgjedhor, duke i kërkuar të përfundojë procesin e numërimit të votave për Fierin. Në të njëjtën kohë selia rozë i kërkoi kryeministrit Berisha të ndalë çdo tentativë të dështuar për rrëmbimin e mandatit të nëntë të Partisë Socialistë ne qarkun e Fierit. Ishte kandidatja për deputetë e kësaj partie për Qarkun e Fierit, Ermelinda Meksi, e cila gjatë një komunikimi me mediet u ndal pikërisht në këtë çështje. “I kërkojmë KQZ-së që në respekt të ligjit të mos zvarrisë numërimin e kutive të panumëruara të Fierit, që ndodhen prej ditësh në sallën e KQZ-së. I kujtojmë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se nenet 116–119 të Kodit Zgjedhor imponojnë në mënyrë kategorike numërimin e çdo kutie që është marrë në dorëzim të rregullt, siç është rasti i 9 kutive, që ende sot mbeten në ambientet e KQZ-së të panumëruara”, - vuri në dukje Meksi gjatë fjalës së saj. Në gjykimin e përfaqësueses socialiste ky institucion duhet të vlerësojë urgjentisht ankimin e forcave politike për manipulim dhe shkelje të Kodit Zgjedhor në Tiranë, Berat etj. Nga ana tjetër, Meksi i bëri apel faktorit ndërkombëtar për të monitoruar këtë proces, manipulimi i të cilit, sipas saj, filloi në Fier e po vazhdon në KQZ, institucion për të cilin faktori ndërkombëtar ka premtuar garanci dhe monitorim. “I kërkojmë Sali Berishës të heqë dorë urgjentisht nga raprezaliet ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së, raprezalie që kanë vazhduar gjatë gjithë natës në Fier nga policia”, - deklaroi Meksi. Duke shtuar tonet paralajmëruese për kreun e qeverisë, anëtarja e kryesisë së PS-së nënvizoi se “çdo veprim tjetër është një provokim i rëndë për elektoratin fierak, që mund ta nxjerrë situatën jashtë kontrollit dhe përgjegjësi do të mbajë Sali Berisha dhe KQZ-ja, që është urdhëruar prej tij”. Sipas saj, Partia Socialiste nuk do të lejojë që asnjë votë e hedhur në kutitë e votimit të mos numërohet sipas ligjit. Njëkohësisht selia rozë insiston se tashmë ajo i ka të gjitha numrat dhe shifrat, se mandati i nëntë për këtë parti ka përfunduar me kohë, qysh më datën 1 korrik, ndërsa gjithçka më tej janë numra përtej të nëntit.

Apeli

“I kërkojmë Sali Berishës të ndalë çdo tentativë të dështuar për rrëmbimin e mandatit të nëntë të Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit. Partia Socialiste nuk do të lejojë që asnjë votë e hedhur në kutitë e votimit të mos numërohet sipas ligjit. I bëjmë apel faktorit ndërkombëtar për të monitoruar këtë proces, manipulimi i të cilit filloi në Fier e po vazhdon në KQZ.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›