E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet nga qelia kreu i Hipotekës

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Gjykata e Vlorës i ka cilësuar të paligjshme arrestimet e operacionit ku ranë në pranga kreu i Hipotekës së Vlorës, një jurist dhe pronari i një trualli.Gjyqtari i çështjes vendosi në fund të seancës t’i lirojë nga qelia tre të arrestuarit, duke vendosur detyrim paraqitjeje për kreun e Hipotekës, Eduart Banushi si dhe arrest shtëpie dhe detyrim paraqitjeje për ish-nëndrejtorin e ZRP-së së Vlorës, Viktor Kulaj dhe biznesmenin Oard Begaj. Sipas akuzës, përfaqësuar nga Sokol Malaj, hetimet për kreun e Hipotekës kanë filluar pas denoncimit të bërë nga një qytetar për një pallat dhe distancat që nuk janë respektuar. Duke iu referuar një sipërfaqeje prej 611 metër/katrorë në të cilën po ndërtohet një pallat 8-katesh, prokurori Malaj u shpreh se është arritur të provohet se kreu i ZRP të Vlorës ka kthyer pronën shtetërore në private me vulën e Hipotekës duke shkelur shumë procedura. “Fillimisht është bërë një denoncim nga një qytetar për mosrespektimin e distancave për zbatimin e ndërtimit të një pallati, si dhe është regjistruar një sipërfaqe me dokumente të falsifikuara. Kallëzimit i është bashkuar dhe një tjetër i tillë nga vëllai i të akuzuarit Oard Begaj, për përfitim pronësie me dokumente të falsifikuara”, bëri të ditur kryeprokurori i Vlorës. Teksa renditi dokumentacione të dhëna për këtë pronë, Malaj u shpreh se ka fakte të mjaftueshme që vërtetojnë se zyrtarët e Hipotekës kanë bërë në një kohë shumë të shpejtë regjistrimin e një prone, duke shkelur ligjet e shtetit. Sipas tij janë pranuar në kuadër të kësaj edhe dokumente të falsifikuara. Ai e vlerësoi arrestimin të ligjshëm, duke kërkuar për tre të akuzuarit arrest në burg, pasi sipas tij kanë konsumuar elementë të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, Gjithashtu, sipas tij të akuzuarit paraqesin rrezikshmëri për t’u larguar, si dhe mund të kërcënojnë dëshmitarët. Ndërsa mbrojtja i quajti arrestimet të paligjshme, si dhe argumentoi se ata nuk përbënin rrezikshmëri për të ikur pas hapjes së çështjes në ngarkim të tyre. “Banushi ka katër ditë që ka ardhur nga jashtë shtetit dhe kishte dijeni për procesin”, u shpreh mbrojtja duke kërkuar lirimin e tyre, ose si masë alternative detyrim paraqitje. Në sallën e gjyqit nuk ka qenë dje kryeplaku i Vunoit Leonard Bala për të cilin gjykata kishte marrë masën e sigurisë më parë “arrest me burg”.

TE AKUZUAR

Eduart Banushi,kreu i Hipotekës

Viktor Kulaj,ish-nëndrejtori i ZRP

Oard Begaj, biznesmen

Leonard Bala, kryeplaku i Vunoit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›