Digjet banesa, shpëtojnë nga vdekja pensionistët
Qamil dhe Bedrie Çela përfunduan në spital me djegie të rënda në trup. Ishin në gjumë kur u dogj shtëpia
Shpëtuan vetëm falë ndërhyrjes së fqinjëve. Policia: Shkak i zjarrit, një shkëndijë elektrike
LUSHNJE- Dy të moshuar kanë përfunduar në spital me djegie në pjesë të ndryshme të trupit, pasi shtëpia e tyre u përfshi nga flakët, teksa ata ishin duke fjetur. Ngjarja që për fat shënoi vetëm të dëmtuar, por jo viktima në njerëz ndodhi mëngjesin e djeshëm në qytetin e Lushnjes. Qamil Çela, 73-vjeç, dhe gruaja e tij, Bedrija, kanë qenë duke fjetur kur një qark i shkurtër elektrik, apo shkëndijë elektrikë u pasuar me një zjarr të madh që pushtoi gjysmën e banesës së tyre përdhese.
***
Ata ndodheshin në dhomën tjetër, në anën tjetër të shtëpisë përdhese në lagjen "Çlirimi" dhe nuk kanë ndjerë asgjë. Ka qenë ora 05.00 e mëngjesit, kur flakët u fuqizuan aq shumë, sa u diktuan nga fqinjët e familjes Çela. Sipas banorëve që janë fqinjë me Qemalin, thonë se flakët kanë përfshirë më parë gjysmën e shtëpisë ku nuk kishte njerëz. Kur zjarri kishte kthyer në hi me shumë se gjysmën e banesës, kanë qenë pikërisht komshinjtë ata që kanë thirrur të zotin e shtëpisë. "E thërritëm që të zgjoheshin e të dilnin, ndryshe do të ishin djegur në gjumë"- tregojnë banorët e lagjes. Më pas, tymi i krijuar duket se kishte shkaktuar probleme me frymëmarrjen e të moshuarve. Për këtë është dashur ndërhyrja e banorëve të lagjes, që ata të mund të dilnin nga shtëpia për t'iu shpëtuar flakëve.
***
Të dy janë transportuar për në spital, pasi përpos gjendjes së asfiksisë nga tymi kanë pasur edhe djegie. Sipas mjekëve, mësohet se djegiet në trup kanë qenë të konsiderueshme e të një grade shqetësuese dhe për këtë trajtimi i tyre është delikat, nisur edhe nga mosha e madhe. Ndërkohë, nga djegia e banesës kanë ngelur në këmbë vetëm muret. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit dhe banorë të shumtë të lagjes "Çlirimi", të cilët bënë të mundur vetëm lokalizimin e zjarrit, por jo shmangien e dëmeve materiale të familjes. Ekspertët e policisë, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë bërë me dije se shkak i djegies së banesës mund të ketë ardhur nga një shkëndije elektrike të ndodhur në një nga kutitë shpërndarëse brenda banesës së familjes Çela. E cila, tashmë bashkë me dy familjarë të dëmtuar bën apel për ndihmë ekonomike, pasi ka mbetur në qiell të hapur.