E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i vëllait largohet nga spitali i Beratit

Mjekët dhe pacientët kanë detyruar policinë që të transferojë Kastriot Goranin nga spitali në qelitë e paraburgimit
BERAT- Protestat që kanë bërë personeli mjeko sanitar dhe pacientët dhe të afërmit e tyre kanë detyruar policinë që të largojë nga ambientet e spitalit dhe të shoqërojë për në dhomat e paraburgimit autorin e vrasjes së vëllait të tij, Kastriot Goranin. Deri paraditen e djeshme vrasësi me probleme mendore është strehuar në një nga dhomat e katit të dytë të repartit të kirurgjisë. Sipas burimeve nga personeli i këtij reparti, vrasësi, dy orë pas shtrimit në dhomën e pa mbrojtur dhe të pasiguruar me hekura, ka filluar të ulërijë dhe të kërcënojë nga brenda dhomës pacientët, banorët të tjerë si dhe policët që qëndronin pranë tij me shërbim. Kanë qenë disa mjekë dhe personeli infermier-sanitar ata që janë ndjerë të frikësuar nga kjo gjendje e krijuar dhe kanë kërkuar me forcë largimin e tij.
Të njëjtin veprim kanë bërë edhe disa të afërm të pacientëve që kanë të shtruar në dhomat ngjitur me dhomën ku u strehua vrasësi. Mjekët kirurgë kanë dhënë garanci se mjekimi i pacientit mundet të bëhej edhe në dhomat e paraburgimit pasi plaga që ka në trup, në bark është e përciptë dhe nuk ka rrezik për jetën. Por edhe pas largimit mjekët dhe pacientët kanë reaguar ashpër për krerët e institucioneve të cilët lejojnë që në repartin më delikat dhe tek pacientët më të pa mbrojtur dhe më të pa fuqishme të strehohen vrasës. "Është faj i drejtorisë së spitalit. Ne kemi një përvojë të hidhur nga strehimi i vrasësve në këtë repart pasi tre vjet më parë, pikërisht në 2 shkurt të vitit 2004, një tjetër vrasës i quajtur Drilon Guri ka vrarë dy policët e shërbimit Xhemal Shameti dhe Agron Dervishin dhe më pas pasi ka kërcënuar të sëmurët dhe personelin e shërbimit është larguar. Ndaj kemi kërkuar pranë drejtorisë së spitalit që të largojë nga ky repart këta vrasës që komplet repartit të kirurgjisë i sjellin vetëm tmerr, frikë, kërcënim për jetën",- thanë disa nga infermierët e spitalit. Sipas tyre, strehimi i vrasësve në repartin e kirurgjisë është i pakuptimtë pasi ana janë tepër të rrezikshëm. Një nga të afërmit e një të sëmuri tha për gazetën se si nuk e kupton përse në këtë repart strehohen vrasësit kur aty ka vetëpacientë që sapo kanë dalë nga sallat e operacioneve. "Këta të sëmurë qëndrojnë për shtatë ditë vetëm të shtrirë në shtrat dhe pas operacionit duan vetëm qetësi dhe asgjë më shumë",- thonë të afërmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›