E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja në qelitë e Mirditës, familjarët padi në Strasburg

Pas sorollatjeve në gjyqet për dëmshpërblim, familja e Erigert Cekës ka dërguar çështjen në gjykatën ndërkombëtare
MIRDITË- Pas sorollatjeve të panumërta dhe gjyqesh maratonë, (numërohen rreth 40 seanca gjyqësore deri më tash), prindërit e Erigert Cekës, i cili vdiq para tre vitesh në ambientet e komisariatit të policisë të Mirditës, kanë vendosur që me të mbaruar procesi ankimor në gjykatat shqiptare, t'i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Pos të tjerash, prindërit e minorenit kanë bërë një sërë padish që lidhen me dëmshpërblimin moral për dhimbjet e shkaktuara në mjediset e një rajoni policor që, më së pari, ka për detyrë ruajtjen e jetës të personit që mban aty nën masë sigurie apo faza të tjera.
Erigert Ceka, nxënës i shkollës së mesme të Rubikut, gjeti vdekjen me datën 5 korrik 2004 në ambientet e komisariatit të policisë Rrëshen ku mbahej i ndaluar nën hetim së bashku me të vëllanë e tij dhe tre minorenë të tjerë. Organizma të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Europë, dhe kryesisht të Fëmijëve kanë vënë re se 16 -vjeçari ashtu si dhe minorenët e tjerë janë mbajtur në kushte skandaloze në mjediset e paraburgimit të këtij komisariati, të shoqëruar edhe me të rritur të tjerë. Shkaku për të ardhur tek vdekja e minorenit në fjalë sipas raporteve hetimorë, ka nisur pikërisht nga reagimi i tij për të mos ndenjur në të njëjtën dhomë me një person më të rritur me të cilin kishte probleme, por institucioni policor nuk ka reaguar, deri sa ka ardhur ngjarja e rëndë me vdekjen e 16-vjeçarit. Që nga ajo kohë familja e djalit paditi komisariatin e Mirditës me objekt kërkimin e shpërblimit të dëmit jo pasuror për dhimbjet shpirtërore që ata kanë përjetuar e përjetojnë pas vdekjes së djalit të tyre në dhomat e paraburgimit. Ata kanë kërkuar që kjo kërkesë e tyre të shihej e trajtohej në frymën e Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Por, pos fakteve të tjera, familja në padinë e saj ka deklaruar se nga ana e policisë nuk është treguar kujdesi i duhur për t'i dhënë ndihmën e nevojshme, madje ai për disa orë është mbajtur ne këto ambiente, por dhe personelit shëndetësor nuk i është dhënë informacioni i duhur se çfarë kishte ndodhur me të, askush nuk është kujtuar për të deri sa ka kaluar në koma për t'u dërguar në spitalin e Rrëshenit dhe më pas në spitalin ushtarak të Tiranës ku dhe ka vdekur për arsye moskujdesi të shpejtë në momentin fillestar të traumës.
Dhe pikërisht për këto arsye e të tjera të renditura në padi, familja e të ndjerit 16- vjeçar ka kërkuar shpërblim dëmi jo pasuror për dhimbjet shpirtërore të shkaktuara, mbështetur në nenin 14 të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës ku dhe Shqipëria duhet të sigurojë në sistemin e vet ligjor që viktimat e akteve të torturës të zhdëmtohen dhe të gëzojnë të drejtën e detyrueshme për zhdëmtim. Dhe në rastin kur viktima vdes si rrjedhojë e një akti torture, të drejtën për kompensim e gëzojnë pasardhësit e tij.
Pashk Ceka, gjyshi i fëmijës së vdekur në komisariat, i cili e përjeton me shumë vuajtje humbjen e nipit, thotë se janë sorollatur pafund në këto 40 seanca gjyqësore, dhe sot vuan dhe nga zemra. "Shtyhej një seancë qoftë dhe për një pyetje, rrëfen ai. Filloi me një gjyqtar seanca e parë, ndërkohë kërkova tre të tillë". Kështu, pas shumë peripecish e sorollatjesh, në seancën e 30-të, u dha vendimi nga gjykata e Mirditës për paditësen "mëmë" e djalit, në shumën thuajse 5 herë më pak sesa kërkohej masa e dëmshpërblimit, por dhe kjo u ankimua nga Drejtoria e Policisë së qarkut Lezhë! Ndërkohë që kemi hapur gjyqin tjetër, pasi dëmshpërblimi u takon dhe personave të tjerë të familjes, që vuajnë të njëjtën gjendje dhe kjo sanksionohet në Konventat ndërkombëtare që ka nënshkruar Shqipëria. Pikërisht për këtë i jemi drejtuar dhe Gjykatës së Strasburgut para 9 muajve, thotë i moshuari gjysh i djalit të vdekur në polici, ku na është kthyer një përgjigje korrekte për hapjen e kësaj dosjeje me përparësi, ndërsa po pritet rezultati përfundimtar i çështjes në gjyqësorin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›