Tenton të vrasë prindërit me granatë, arrestohet
Fier, policia ka shmangur një tragjedi në familjen Refati teksa ka arrestuar djalin 32-vjeçar me granatën në dorë
FIER- Policia e Fierit ka arritur që të shmangë një ngjarje të rëndë që mund të kishte përmasat e një tragjedie brenda një familjeje. Djali i shtëpisë ka tentuar që të vrasë me granatë prindërit e tij pas një sherri që ka nisur për një banjo. Ngjarja ka ndodhur pasdite në fshatin Mbrostar Ura dhe policia ka mundur që të arrestojë Kastriot Refatin teksa kishte në dorë granatat që do i hidhte prindërve të tij. Djali kishte vetëm dy muaj që kishte ardhur nga Italia dhe që nga ajo kohë kishte nisur sherret e vazhdueshme me prindërit e tij.
Burimet e policisë lokale pohuan se rreth orës 14 e 45 minuta kanë marrë një telefonatë që tregonte për një sherr të tensionuar në një familje në fshatin Mbrostar Ura. Telefonuesi ka treguar se bëhej fjalë për familjen e Fatmir Refatit ku djali i tyre ishte duke u zënë me prindërit. Ai i kishte kërcënuar ata se do t'i vriste dhe do u shkatërronte shtëpinë me granatë. Pas kësaj djali ishte larguar nga shtëpia por situata ishte ende e tensionuar. Me të marrë këtë informacion grupet e gatshme të policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes dhe 15 minuta më vonë ata kanë shkuar në shtëpinë e Fatmir Refatit. Mbërritja e policisë në vendin e ngjarjes, për fat, ka përkuar me evitimin e një ngjarjeje që mund të kishte pasoja tragjike. Efektivët e policisë kanë pohuar dje se në momentin që kanë shkuar në fshat kanë gjetur djalin e shtëpisë, Kastriot Refatin, teksa kishte në dorë dy granata dhe po shkonte në shtëpinë e prindërve. "Ai kishte në dorë dy granata dhe njërën prej tyre e kishte montuar dhe gati për ta hedhur. Nga ana jonë është bërë neutralizimi i Kastriot Refatit dhe më pas arrestimi i tij",- thanë punonjësit e policisë që kanë marrë pjesë në operacion. Sipas tyre, 32-vjeçari kishte vetëm dy muaj që ishte kthyer nga Italia dhe që prej asaj kohe kishte nisur konfliktet me prindërit e tij. Shkaku i sherreve mes tyre ishte një banjo, për të cilën 32-vjeçari pretendonte se i përkiste atij dhe prindërit ia kishin marrë pa të drejtë. Pas sherreve të shumta djali kishte arritur deri sa ishte bërë gati për të vrarë dy prindërit e tij dhe prishur shtëpinë e tyre. "Ndaj 32-vjeçarit janë ngritur akuzat e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Materialet i kemi përcjellë në prokurori dhe do jetë ajo që do ndjekë procedurat e mëtejshme",- thanë dje burimet zyrtare të policisë lokale.