Interpoli sjell dy vrasës para drejtësisë
Përparim Muhameti është ekstraduar nga Athina, ndërsa Armando Sulejmani nga Roma
Interpol Tirana ekstradon dy persona shumë të kërkuar nga policia, pasi akuzohen për vrasje. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë dje se është kryer ekstradimi nga Athina e Greqisë i të kërkuarit Përparim Muhameti, 40-vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Kavajë. Po dje, nga Roma është ekstraduar një tjetër i kërkuar, Armando Sulejmani, 32-vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Përparim Muhameti është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë më datë 29 korrik të vitit 1998, e cila e ka dënuar atë 40-vjeçarin me 25 vjet burgim për veprën penale të "vrasjes me dashje për motive të dobëta" dhe "armëmbajtje pa leje". Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor Muhameti ndodhi më datë 28 prill të vitit 1997 rreth orës 08:30 në qendër të qytetit të Kavajës, kur ai ka vrare për motive të dobëta Astrit Alian. Në bazë të hetimeve rezultoi se autori dhe viktima ishin zënë një ditë më parë në një lokal. Ndërkohë që i ekstraduari tjetër, Armando Sulejmani, është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë, më datë 10 shtator të vitit 2003 me 20 vjet burgim, për veprën penale të "vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim" dhe "vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë". Ngjarja për të cilën u dënua Sulejmani ka ndodhur me datë 26 qershor të vitit 2002, rreth orës 15:00 në afërsi të lokal "Zyrih" në Vlorë. Në bashkëpunim me Sokol Sinomatin kanë vrarë me armë zjarri Elton Taton. Autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Elton Tatos dhe Robert Borakut, ku si pasojë ka mbetur i vrarë Tato, ndërsa Boraku është larguar, duke u shpëtuar plumbave.