Film për grabitjen me "vulë" shqiptare në Britani
Gjykata ka dënuar dje me 15 vjet burg Jetmir Buçpapën dhe me 10 vjet Ermir Hysenajn, për grabitjen më të madhe në historinë e Britanisë
LONDËR- Historia e vjedhjes më të madhe në historinë e Britanisë, ku janë përfshirë edhe dy shqiptarë pritet të bëhet film në stacionin televiziv Channel 4. Kompania "Oksford Films", një kompani kjo që ka fituar disa çmime Oscar ka siguruar një marrëveshje me stacionin, për të realizuar një dramë 90 minutëshe mbi rastin e mësipërm. Pesë autorët nga jugu i Londrës, Kenti dhe Shqipëria janë duke u përballur me mundësinë e dënimeve, pas gjyqit që zgjat prej 7 muajsh në Old Bailey. Filmi i planifikuar nuk do të xhirohet, derisa të tejkalohen disa pengesa ligjore. Patrick Forbes, një regjisor i "Oxford Films" të cilit i është propozuar realizimi i filmit pohoi se skenari ndodhet në fazën fillestare, pas marrëveshjes së siguruar me Channel 4.
***
Ndërkohë, 4 prej autorëve të grabitjes së 53 milionë paundve janë dënuar dje me nga 15 vjet burg, ndërsa i pesti, shqiptari 28-vjeçar Ermir Hysenaj duhet të vuajë 10 vjet burg. Mediat britanike, të cilat kanë raportuar vendimin e gjykatës bëjnë me dije se aktualisht mbeten ende të zhdukura 32 milionë paund, pasi pjesa tjetër është gjetur nga policia. Lea Rusha, Jetmir Buçpapa, Roger Coutts dhe Stuart Royle kanë marrë dje dënime më minimale seç pritej. Gjyqtari i çështjes, Penry Davey, është shprehur se të dënuarit kanë qenë pjesë e një grupi kriminal, që mëngjesin e shkurtit të vitit 2006 sulmoi magazinat e Securitas në qytetin e Kentit. Ata morën peng menaxherin e magazinave, Colin Dixon, të shoqen dhe djalin, duke i përdorur ata për të hyrë në ndërtesë e për të realizuar më pas grabitjen e cilësuar si më spektakolaren në historinë e Britanisë së Madhe.
***
Gjyqtari shtoi dje se: "duke përdorur armët, autorët e maskuar kanë terrorizuar pengjet, disa prej të cilëve do të vazhdojnë t'i vuajnë pasojat për një kohë të gjatë, veçanërisht në rastin e familjes Dixon, të cilët humbën shtëpinë e tyre, punën, miqtë"."Misioni u plotësua, kur autorët, duke përfshirë edhe ju të katërt u larguat natën me 53 milionë paund, shumë kjo e kondicionuar nga kapaciteti i makinës",-ka shpjeguar ngjarjen gjyqtari. Megjithatë, gjyqtari nuk ka dhënë të njëjtën akuzë për autorin e pestë, Hysenajn. "Ju nuk jeni pjesë e grupit kriminal, që shkoi atë mbrëmje në depo, por keni luajtur një rol thelbësor, duke iu dhënë atyre informacione për të realizuar planin e tyre". Hysenaj ishte një punonjës i Securitas, që filmoi depon brenda duke përdorur një kamera të teknologjisë së lartë në madhësinë e një monedhe, 50 penc-ëshe. Kamera ishte vendosur në rripin e pantallonave, ndërsa pamjet i kaluan autorëve të bandës. Gjatë vendimit të djeshëm, gjyqtari rekomandoi deportimin për në Shqipëri të Buçpapës dhe Hysenajt.