Shkodër, uji i pijshëm, rrezik për konsumatorët
SHKODËR- Ndonëse viti 2007 është konsideruar si i suksesshëm për sistemin shëndetësor të Shkodrës, përsëri problemet nuk kanë munguar. Gjatë analizës së këtij sistemi, ku ishte i pranishëm dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, u theksua se problem kryesor është cilësia e ujit të pijshëm. Burim Gjyli, drejtor i shëndetit publik në Shkodër ka evidentuar dhe problemet që janë të pranishme në këtë sektor kryesisht në aspektin e higjienës. Ai ka theksuar se me gjithë kontrollet e vazhdueshme në ambientet e punës dhe për produktet e skaduara, ato akoma janë shqetësim. Por problem kryesor sipas tij mbetet tek cilësia e ujit të pijshëm, ku tepër problematike mund të bëhet situata nëse nuk ndalen ndërtimet pa leje pranë stacionit të pompave të ujit të pijshëm në Dobraç, pasi ato shkaktojnë ndotjen e ujit. Drejtorja e spitalit rajonal të Shkodrës, Alma Kurti, është ndaluar tek lufta ndaj korrupsionit, rikonstruksioni i shërbimit dhe ambienteve të repartit të urgjencës investimet në spitalin rajonal të Shkodrës siç janë sjellja dhe vënia në funksionim e aparaturave dignostikuese bashkëkohore si mamografia, endoskopia etj.