E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videokonferencë me Arabinë Saudite për sheikun Al-Qadi

Menaxheri i pronave të sheikut, Abu Rayan ka kërkuar dëshminë e shefit të tij
TIRANË- Administratori Abu Rayan kërkon dëshminë e shefit të tij me anën e video-konferencës. Paraditen e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë një sërë kërkesash nga administratori i pronave të të dëbuarit nga Shqipëria, Yasin Al-Qadi, njëra prej të cilave është vënia në funksionim e video-konferencës me Arabinë Saudite. Duke rrëzuar akuzat për tjetërsim pasurie, si dhe duke kundërshtuar një hetim të dytë për lidhjet me terrorizmin, Abu Rayan ka pohuar në gjykatë se dëshmia e sheikut arab do të ishte e nevojshme për procesin gjyqësor. Sa i përket hetimit të ri, avokati i administratorit ka pohuar në gjykatë seklienti i tij nuk mund të hetohet dy herë për të njëjtën akuzë. Nga ana e vet, trupi gjykues nuk ka nxituar të japë një vendim mbi kërkesat, duke i lënë vetes kohë deri në seancën e ardhshme. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka çuar kohë më parë në gjykatë hetimet për menaxhimin që nga vitit 2002 e këndej të pronave tashmë të sekuestruara të Yasin Al-Qadi. Sipas hetimeve të prokurorisë, Abu Rayan nuk ka rezultuar i lidhur me terrorizmin, por është akuzuar për tjetërsim të ardhurash, gjatë kohës që ka menaxhuar një sërë ambientesh të dhëna me qera, pronë këto të Yasin Al-Qadi. Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për video-konferencën me sheikun arab, emri i të cilit ndodhet në listën e financuesve të terrorizmit të OKB-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›