E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet kopshti i fëmijëve, evakuimi bëhet në kohë

PATOS/ Zjarri i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike rrezikoi më shumë se 100 vogëlushë

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e së mërkurës kopshtin me drekë të qytezës së Patosit. Zjarri ka rënë gjatë kohës që në të ndodheshin fëmijët. Shkak mësohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike e dhënë nga një ngrohës, me anën e së cilit sigurojnë ngrohjen në këto ditë të ftohta vogëlushët. Zjarri është konstatuar fillimisht në katin e parë të kopshtit me drekë dhe më pas ka përparuar në katin e dytë. Fillimisht pranë kësaj vatre të rrezikshme zjarri ka mbërritur automjeti zjarrfikës i nënstacionit të Patosit. Duke parë përparimin e shpejtë të flakëve në ndihmë të zjarrfikëses së parë, kanë ardhur dhe dy zjarrfikëse të tjera nga Reparti i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Fier. Në vendin e ngjarjes, përveç dhjetëra zjarrfikësve, kanë shkuar edhe policë të postës policore të Patosit. Zjarri ka rënë në orën 14:30, ndërkohë që ka qenë ende aktiv deri në orën 15:40. Edukatoret e alarmuara nga flakët që përhapeshin kanë nxjerr shpejt fëmijët nga mjediset e brendshme të kopshtit. Disa prej fëmijëve kanë qenë në gjumë dhe nxjerrja jashtë ka qenë e vështirë. Fatmirësisht asnjë fëmijë nuk është rrezikuar, ndërkohë që mësohet prej edukatoreve se janë evakuuar më tepër se 100 fëmijë. Kapaciteti i kopshtit është 150 fëmijë të moshës nga 3 në 6 vjeç. Në grupin e katit të parë, ku dhe ra zjarri, kanë qenë 30 fëmijë, dhe afro 90 të tjerë në katin e dytë. Fatmirësisht fëmijët kanë pasur më tepër traumatizim nga tymi dhe flakët, si dhe nga prania e dhjetëra policëve dhe zjarrfikësve në kopsht. Edhe prindërit, të alarmuar, i janë afruar kopshtit ku kanë marrë vogëlushët e tyre. Hetimet e para tregojnë se flaka ka ardhur nga një shkëndijë elektrike, ndërkohë që dëmet e zjarrit kanë qenë të konsiderueshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›