E dhunon djali i ish-prefektit, policia nuk i ofron mbrojtje
Fier, vajza 26 vjeçe kërkon ndihmë: Ndihem e rrezikuar
Një vajzë 26-vjeçare nga Fieri ka denoncuar në polici për dhunë ish të dashurin e saj, por nuk është marrë në mbrojtje nga uniformat blu. I riu, i cili dyshohet se e ka dhunuar disa herë, është djali i ish-prefektit të Fierit, Rauf Troka, dhe e dhunuara mendon se pikërisht emri i të atit e bën policinë të mos veprojë. Quhet Ertilda Spaho dhe jeton në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Fierit. Vajza e dytë mes tre motrave të familjes Spaho denoncon nëpërmjet gazetës pafuqinë e saj për t’u mbrojtur, edhe për jetën, pasi personi që e dhunon është i veshur me pushtet.
Ndërsa në syrin e djathtë dallohet ende shenja e dhunimit të fundit, Ertilda tregon se dashuria e saj me djalin e ish-prefektit të Fierit përfundoi në mënyrë të dhunshme.
“Unë dhe Erion Troka kemi qenë të dashuruar për disa muaj. Vendosëm të lidhnim kurorë, por nuk u realizua, pasi familja e tij nuk e donte familjen time. Pretendimi ishte se ata ishin të pasur dhe se babai i tij ishte prefekt, ndërkohë që familja ime ishte e varfër dhe prindërit i kisha punëtorë. Përballë këtyre fakteve, i kërkova Erionit të ndaheshim dhe këtu nisi dhuna”. Kështu e nis historinë e saj të dhimbshme 26-vjeçarja, e cila ndihet e rrezikuar për jetën. Ajo tregon se vetëm gjatë muajit janar është dhunuar tri herë në mënyrë çnjerëzore dhe për të gjitha rastet i është drejtuar policisë lokale, e cila është mjaftuar vetëm me ballafaqim dhe premtim të djalit se nuk do ta shqetësonte më.Sipas Ertildës, oficeri që i ka marrë kallëzimin ka qenë Spartak Gicali. “Polici kërkoi Erionin, që më dhunoi. Ai erdhi bashkë me të ëmën dhe premtoi përpara policit se nuk do të më dhunonte më. Kjo nuk mjaftoi, pasi tri ditë më vonë më doli përpara në qendër të Fierit dhe më rrëmbeu, duke më marrë zvarrë. Munda vetëm t’i bëja një zile motrës. Ajo njoftoi policinë dhe policia nisi kërkimin tim dhe të Erionit. Në makinë ai kishte një shishe me benzinë dhe më thoshte se do të më digjte. Më rrahu dhe më çoi në Tiranë, ku erdhi i ati, Rauf Troka, bashkë me gruan dhe na morën. Gjatë rrugës për në Fier, Raufi dhe gruaja m’u lutën që të mos denoncoja dhe se ai vetë do të dilte garant. As ky premtim i bërë prej tij nuk u mbajt, pasi më 29 janar Erioni më dhunoi përsëri”, tregon mes lotësh 26-vjeçarja.
Pa kaluar shuam ditë, Ertilda Spaho është rrahur sërish nga ish i dashuri. Ai e ka pritur kur kthehej nga puna dhe e ka goditur në kokë, duke përdorur të gjithë fuqinë që kishte. Kur ajo është rrëzuar, Erioni ka vazhduar ta qëllojë deri sa ka rënë pa ndjenja. Për ta përmendur ai ka marrë ujë në një dyqan dhe më pas e ka lënë atë pothuajse të pajetë në rrugë. Kjo ka bërë që për herë të tretë e dhunuara dhe familja e saj t’i drejtohen policisë më 29 janar të këtij viti. Policia i ka dhënë akt-ekspertizën dhe e ka drejtuar për në gjykatë. 26-vjeçarja thotë se edhe ekspertiza është përballur me emrin e zyrtarit dhe ka ngurruar të shprehë të vërtetë. “Ashtu si policia, dhe autoritetet e tjera shtetërore hezitojnë të më japin të drejtë kur mësojnë kush është babai i dhunuesit tim. Unë kërkoj vetëm mbrojtjen e jetës sime dhe të familjes, pasi edhe ajo sot ndihet e rrezikuar”, thotë 26-vjeçarja. Ndërkaq, në Komisariatin e Policisë së Fierit askush nuk shpjegon neglizhencën ndaj këtij denoncimi të hapur dhe kërkesës për mbrojtje. Nga ana tjetër, në Gjykatën e Fierit konfirmohet se mesditën e së martës, Ertilda Spaho ka depozituar padi civile kundër Erion Trokës dhe babait të tij.
#