Digjet makina e policisë, e dyshuar një e sëmurë mendore
Makina e grupit të gatshëm të policisë në qytetin e Poliçanit është përfshirë nga flakët, dje, në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë që Policia e Beratit që ka nisur hetimin deklaron se bëhet fjalë për një zjarrvënie nga një e sëmurë mendore. Burime nga qyteti i Poliçanit bëjnë me dije se rreth orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës, mjeti tip “Iveko”, furgon, është përfshirë nga flakët dhe më pas ka shpërthyer nga sasia e karburantit që ndodhej në të. Oficeri i rojës pranë postës së policisë në këtë qytet ka pikasur i pari zjarrin. Mjeti mësohet se ka qenë i parkuar pranë postës së policisë në kohën që janë shfaqur shenjat e para të zjarrit. Punonjësi i gatshëm sapo ka parë makinën të përfshirë nga flakët, ka kërkuar ndihmën e zjarrfikëses në këtë qytet dhe të kolegëve të tyre. Por, ndonëse mjeti zjarrfikës ka mbërritur pa vonesë në vendin e ngjarjes, mjeti është djegur krejtësisht, pasi ka shpërthyer nga karburanti që ndodhej i depozituar.
Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur më pas ekspertët e policisë, që nisën hetimet për të mësuar shkaqet e këtij zjarri. Nga hetimet e para dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe është vendosur nga një e sëmurë mendore, e cila është parë pranë makinës, në çastin e shfaqjes së shenjave të para të zjarrit. Vajza 33-vjeçare, e sëmurë mendore, është marrë në pyetje nga ekspertët kriminalë, por nuk kanë arritur të marrin shumë detaje prej saj. Vajza ka qenë e papërgjegjshme për veprimet e saj, ndërkohë që po punohet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.
#