Zgjedhjet në Mal të Zi, garë e fortë mes shqiptarëve
Sot pritet të zhvillohen zgjedhjet vendore në Mal të Zi. Rreth 440 mijë votues do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj vendorë të komunave. Ajo që bie në sy në këto zgjedhje, është gara e fortë mes forcave politike shqiptare për të drejtuar komunat me shumicë absolute shqiptare: Ulqinit dhe Tuzit. Në Ulqin janë në garë 10 forca politike, nga të cilat 7 prej tyre janë forca politike shqiptare. Kështu, 18 mijë votues të Komunës së Ulqinit, që banohet nga 95% shqiptarë, do të votohet për 7 parti politike shqiptare. Kjo flet qartë për një përçarje të faktorit politik shqiptar. Ndërsa në Ulqin shihet një garë e fortë mes drejtuesve aktual të komunës, Unionit Demokratik Shqiptar që përfaqësohet nga Gëzim Hajdinaga dhe Forca e Re Demokratike me Nazif Cungun, që ndiqet më pas nga Lidhja Demokratike Shqiptare me përfaqësues Mehmet Bardhin. Në këto zgjedhje, Unioni Demokratik Shqiptar ka hyrë në koalicion me PDS (Partin Demokracia Sociale) të malazezëve. E përfolur gjatë për këtë aleancë me malazezët, Unioni Demokratik ka sqaruar se ky koalicion është bërë me kusht që pas zgjedhjeve, Komuna urbane e Tuzit të marrë statusin e plotë si komunat e tjera. Mjaft pretendente duket Forca e Re Demokratike e Nazif Cungut, një parti e re, por me shumë simpatizantë, që hyn në garë me bindjen për të ndërtuar një Ulqin të ri nga faktori dhe në shërbim të shqiptarëve. Ndërkohë, garë e fortë mes shqiptarëve parashikohet edhe në Komunën urbane të Tuzit, e cila popullohet nga shumicë absolute shqiptare. Në ndryshim nga Ulqini, këtu ka një koalicion më të madh mes partive shqiptare që njihet me emrin Koalicioni për Malësinë IQ-ASH-LD. Mali i Zi ka një popullsi të vogël me rreth 650 mijë banorë dhe 440 mijë votues, nga të cilët 35 mijë janë shqiptarë.
#