Grindet me bashkëshortin, vetëvaret nëna e tre fëmijëve
Kthimi i bashkëshortit në banesë pas shumë vitesh emigracion duket se ka sjellë konflikte mes një çifti në një fshat të Rrethit të Beratit, çka dyshohet se është bërë shkak që gruaja t’i japë fund jetës me varje. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të vona të së premtes në fshatin Peshtan të Rrethit të Beratit. Zamira Bode, 33 vjeçe, banore e këtij fshati, është gjetur rreth orës 22:00 e vetëvarur në banesën e saj dhe çdo përpjekje e familjarëve për ta shpëtuar nga vdekja ka qenë e kotë. Familjarët, të shqetësuar për mungesën e saj, kanë nisur ta kërkojnë fillimisht nëpër oborrin e shtëpisë dhe më pas në kasollen e bagëtive, ku dhe e kanë gjetur të varur. Ata janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë nënës së tre fëmijëve, por gjithçka ka rezultuar e kotë, pasi gruaja kish ndërruar jetë. Familjarët Bode kanë njoftuar më pas organin blu të Policisë së Beratit ekspertët e të cilit, së bashku me mjekun ligjor, kanë udhëtuar drejt fshatit Peshtan. Ekspertët e policisë, nga hetimi në vendin e ngjarjes, konstatuan se gruaja kishte përdorur një litar të vendosur në dritaren e kasolles së bagëtisë, për t’i dhënë fund jetës në mënyrë tragjike. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e qendrës spitalore të qytetit të Beratit, ku janë zhvilluar hetimet e rastit. Burime nga vendi i ngjarjes saktësuan se gruaja, nënë e tre fëmijëve, ditët e fundit kish pasur konflikte me bashkëshortin e saj, emigrant prej vitesh në Greqi. Largësia prej vitesh nga familja duket se kishin ndikuar tek çifti Bode. Kthimi i bashkëshortit pranë familjes mësohet se ishte shoqëruar me grindje të shumta mes çiftit, gjë e cila dyshohet se është bërë shkak që në një moment depresioni, gruaja të vendosë t’i japë fund jetës. Mbrëmjen e së premtes, çifti Bode janë grindur me njëri-tjetrin, e ndërsa bashkëshorti ka qëndruar me fëmijët në banesë, gruaja i është drejtuar kasolles së bagëtisë, ku dhe i ka dhënë fund jetës. Gjatë marrjes në pyetje bashkëshorti ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për konflikte mes tyre, por thjesht për moskuptime të vogla, të cilat ndodhin mes çifteve.
#