Qeveria paguan 459 mijë euro
Trazhgim Sokolaj
Qeveria vendosi të paguajë gjobën e vendosur Shqipërisë nga Gjykata e Strasburgut në shumën 450 mijë euro në çështjen e pronësisë “Vrioni kundër Shqipërisë”. Vendimi i gjykatës është dhënë në 24 mars 2009, ndërsa Këshilli i Ministrave vendosi tre muaj më pas zbatimin e tij, duke paguar gjobën nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. VKM është bërë publik dje në faqen zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë, ku thuhet se është vendosur ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nr.2141/03, “Vrioni e të tjerë kundër Shqipërisë”. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane ‘Për të drejtat e njeriut’, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 24.03.2009, për çështjen nr.2141/03, ‘Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë’, në vlerën 450.000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) euro. Tatimi mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind të kësaj shume, paguhet nga shteti”, thuhet në vendimin e Qeverisë. Sipas tij, autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati brenda të cilit duhet kryer ky ekzekutim është data 24 qershor 2009. Më tej vendimi përcakton se “shuma 450.000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) euro bashkë me pagesën e tatimit mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind, duhet të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve “Vrioni dhe të tjerë”. “Kjo shumë të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së kësaj llogarie”, thekson më tej vendimi i Qeverisë. Sipas tij, detyrimi financiar, i parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, (shuma 450 mijë euro) do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Qeveria urdhëron më tej Ministrinë e Financave të kryejë pagesën e tatimit mbi të ardhurat, në masën 10 për qind të shumës së dëmshpërblimit, për vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të ekzekutuara deri më tani, edhe për 9 çështje të tjera. Bëhet fjalë për proceset e hapura në Strasburg me tituj: “Qufaj kundër Shqipërisë”, “Beshiri kundër Shqipërisë”, “Bajrami kundër Shqipërisë”, “Gjonboçari kundër Shqipërisë”, “Rramadhi kundër Shqipërisë”, “Driza kundër Shqipërisë”, “Xheraj kundër Shqipërisë”, “Marini kundër Shqipërisë” dhe “Dybeku kundër Shqipërisë”. Sipas vendimit të djeshëm të Qeverisë, pagesa e tatimit mbi të ardhurat, në favor të personave të përmendur në këtë vendim, duhet të depozitohet në bankën e nivelit të dytë, ku është depozituar shuma përkatëse e dëmshpërblimit, dhe të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën kur do të çelet llogaria. Më tej VKM thekson se “detyrimi financiar, i parashikuar në pikën 5 të këtij vendimi, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Në fund, qeveria ngarkon ministrin e Financave dhe ministrin e Drejtësisë për zbatimin e vendimit, i cili “hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”.
10 për qind e dëmshpërblimit për:
a) Qufaj kundër Shqipërisë 6 883 440 lekë;
b) Beshiri kundër Shqipërisë 1 581 300 lekë;
c) Bajrami kundër Shqipërisë 307 100 lekë;
ç) Gjonboçari kundër Shqipërisë 603 680 lekë;
d) Rramadhi kundër Shqipërisë 827 518 lekë;
dh) Driza kundër Shqipërisë 6 930 000 lekë;
e) Xheraj kundër Shqipërisë 26 560 lekë;
ë) Marini kundër Shqipërisë 4 219 749 lekë;
f) Dybeku kundër Shqipërisë 62 250 lekë.