E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e kambistit, ikin krerët e komisariatit II

 

TIRANE - Vrasja e kambistit, Astrit Cubaj, mesditën e së shtunës në kryeqytet, ka sjellë shkarkimin nga detyra të shefit të Komisariatit numër dy në kryeqytet, dhe kreut të antikrimit ekonomik në këtë institucion. Dy zyrtarëve të lartë u është komunikuar mbrëmë urdhri i shkarkimit nga detyra, i cili është argumentuar se shkak për të ka qenë vrasja e kambistit 40-vjeçar gjatë tentativës për ta grabitur. Pas shkarkimit nga detyra e shefit të komisariatit, Nikollë Vatnikaj u transferua në një detyrë më të ulët në policinë e Lezhës, ndërsa kreu i antikrimit ekonomik në këtë komisariat Hekuran Hoxha, ende nuk është emëruar në ndonjë detyrë tjetër. Shkaku i uljes në detyrë të Vatnikajt ka qenë fakti se krimi i rëndë ndodhi në komunitet, ndërsa për Hoxhën është argumentuar se duhet të kishte ndaluar veprimtarinë e kambistit, i cili e ushtronte këtë profesion pa leje. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës në rrugën "Medar Shtylla" në kryeqytet, kur persona të armatosur dhe maskuar sulmuan kambistin Cubaj, 40 -vjeç, me origjinë nga Kopliku i Malësisë së Madhe, në momentin që ky po hynte në pallatin ku banonte. Dy të rinj, që dyshohet se janë të moshave 16 dhe 18 vjeç, të gjatë 170 dhe 175 cm, me trupa të hollë, e flokë të zeza të qethura shkurt, e sulmuan me armë duke tentuar t'i grabitnin paratë. Për pasojë e plagëve të marra kambisti gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak Tiranë edhe pse u transportua me urgjencë atje, ndërsa mjekët kryen ndërhyrje intensive por pa mundur t'i shpëtonin jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›