E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet në banesë kryefamiljari, dyshohet zjarrvënia

31/03/2009  Zjarri në mesnatë, në shtëpi vetëm me 3 vajzat e vogla, të cilat kanë shpëtuar

Vëllai i viktimës: Pashë njerëz të lëviznin në oborr, e kanë vrarë

LUSHNJE- Një zjarr i rënë në banesën e familjes Krasniqi në fshatin Këmishtaj të rrethit Lushnjë, ka shkaktuar vdekjen e kryefamiljarit Bujar Krasniqi dhe djegien e një pjese të konsiderueshme të banesës. Zjarri është diktuar rreth orës 01:30 të mëngjesit të ditës së djeshme, ndërsa në banesë në atë çast kanë qenë dhe tre nga katër fëmijët e Bujarit dhe ky i fundit, ndërsa bashkëshortja e tij ka qenë në Pogradec në një ngushëllim familjar. Zjarri është diktuar nga njëra prej vajzave të tij, e cila ka marrë dhe dy motrat e tjera dhe ka shkuar të lajmërojë të afërmit e tjerë dhe vëllezërit e Bujarit. Njëri prej tyre Muharremi rrëfen se Bujari ka qenë në gjumë në njërën prej dhomave të shtëpisë dhe sipas tij orenditë shtëpiake që kanë marrë zjarr janë lëvizur nga vendi dhe iu është vënë më pas flaka. Ai dyshon se gjithçka është e qëllimshme dhe kërkon nga shteti zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe gjetjen e autorëve të djegies së vëllait të tij. "Dëgjova një zhurmë, thotë vëllai i viktimës, më duket se pashë një njeri me këmishë të kuqe, pastaj pashë tym dhe flakë". Policia nga ana e saj ka mbërritur së bashku me zjarrfikësit në vendngjarje. Ajo ka bërë dhe rrethimin e tij dhe nuk ka lejuar askënd që të afrohet afër banesës, ndërsa ka marrë në pyetje familjarë dhe bashkëfshatarë të viktimës, ekspertët e saj kanë kryer dhe hetimin e vendit të ngjarjes. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare të forcave të rendit, por burime nga blutë shprehen se zjarri nuk është shkaktuar as nga shkëndijë elektrike dhe as nga bombola të gazit brenda shtëpisë. Dyshimet thanë këto burime janë për vënie zjarri me qëllim. Bashkëfshatarë të tij treguan së viktima ka tentuar të shkojë në Greqi, por nuk ka mundur. Ndërsa sipas tyre ka patur një sasi të konsiderueshme të hollash të marra borxh te disa bashkëfshatarë të tij. Policia po punon në këtë pistë pa dhënë asnjë detaj të mëtejshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›