E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të shpjegohet vonesa e kompensimit për kartat e identitetit”

31/03/2009  Avokati i Popullit Ermir Dobjani shpërndan inspektorët e tij nëpër disa njësi bashkiake

Kërkon nga Ministria e Financave të vërë në dispozicion të tij materialet

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur të dëmshpërblejë një kategori personash, të cilët nuk kanë mundësi për t’u pajisur me karta identiteti, ndërsa nga ana tjetër është Avokati i Popullit Ermir Dobjani ai që ka shpërndarë inspektorët e tij nëpër disa njësi bashkiake për të parë gjendjen dhe biseduar me atë kategori personash në nevojë. Janë marrë të dhëna dhe Dobjani kërkon nga Ministria e Financave të vërë në dispozicion të tij materiale, të cilat tregojnë se kur është vënë në zbatim rregullorja e përbashkët që ka kjo ministri me Ministrinë e Brendshme për të zbatuar VKM. Sipas burimeve nga Avokati i Popullit, bëhet e ditur se mjaft qytetarë që i përkasin shtresave në nevojë dhe përfitues nga VKM-ja nr. 15, datë 14.01.2009 “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”, kanë ngritur pretendimin se, megjithëse kishin aplikuar për pajisjen me letërnjoftime dhe disa prej tyre edhe i kishin marrë ato, ata janë paraqitur në zyrat përkatëse, por nuk e kanë marrë kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftime. Një gjë e tillë sipas Avokatit të Popullit është e përgjithshme dhe nuk mund të lihet pas dore. Po kështu inspektorët duke shkuar vet në qendrat e njësive bashkiake, kanë vënë re se punonjëset e këtyre njësive nuk kanë një shpjegim të saktë për t’ia dhënë qytetarëve. “Prisni sa të dalin rregulloret për të marr kompensimin”. Kjo është edhe përgjigja që punonjëset u kthejnë personave në nevojë kur ata interesohen për marrjen e kompensimit. Nga punonjësit e zyrave përkatëse ju thuhet se duhet të presin sa të dalin rregullat përkatëse. Në bazë të pikës 4 të këtij vendimi, pagesa e kompensimit bëhet në mënyrë të menjëhershme, pasi personi përfitues paraqet, në zyrat e përmendura në pikën 3 të këtij vendimi, fotokopje të dokumentit, të dhënë nga zyra e gjendjes civile, pas aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, të shoqëruar me mandatin e pagesës të bërë nga përfituesi. Në pikën 7 të vendimit përcaktohet se: “Rregullat e hollësishme dhe mënyrat e pagesës së kompensimit përcaktohen në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave, ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›