Kasano më pranë Juventusit
28/03/2005 Marrëveshja e ditëve të fundit me grupin “Tamoil”, për të sponsorizuar bluzën e skuadrës (240 milionë euro për 10 vitet e ardhshme), hap skenare interesantë për Juventusin përsa i përket merkatos. Falë shifrës marramendëse që do të vijë nga kjo kontratë, mund të nisë sulmi përfundimtar drejt Antonio Kasanos, objektivi i vërtetë i bardhezinjve për sezonin e ardhshëm. Pas fjalëve të admirimit nga ana e Xhixhi Bufonit (“Kasano është një lojtar i shkëlqyer dhe nëse do të vinte në Torino, do të fitonte Topin e Artë”), drejtuesit bardhezinj janë gati të kënaqin kërkesat e Romës për të marrë Kasanon. Sipas Luçiano Moxhit, politikat kursimtare në merkato nuk do të ndryshojnë, por dihet që Juventusi e kërkon me ngulm talentin barez dhe për më shumë, edhe Fabio Kapelo është një nga admiruesit e tij. Roma ka nevojë për lekë, ndaj për të mbajtur kapiten Totin në kryeqytet, do të jetë e detyruar të shesë kasanon, por gjithmonë klubit që do të ofrojë më shumë, ndaj juventusi po mundohet që tani që ta mbyllë diskutimin, para se klubet e tjera evropiane të futen në garë.