E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lipi: Mbeta i kënaqur

28/03/2005  Trajneri i Kombëtares italiane përgëzon lojtarët e tij për fitoren ndaj Skocisë, pavarësisht lojës së dobët

Trajneri i Kombëtares italiane, Marçelo Lipi, është mëse i kënaqur për fitoren e ditës së shtunë, kundër Skocisë. “Jam i kënaqur nga të gjithë, më vjen keq vetëm për sulmuesit, të cilët luajtën shumë mirë, por nuk arritën të shënonin. Bëmë pikërisht atë që duhej të bënim, megjithëse duhej ta mbyllnim takimin që në pjesën e parë, për të mos vuajtur në pjesën e dytë. Natyrisht, në minutat e fundit u vu re edhe lodhja dhe duhet të bëja disa ndërrime, por këtë gjë e dinë shumë mirë lojtarët”. Rruga drejt Botërorit 2006 është e hapur, pas këtyre 3 pikëve themelore kundër Skocisë. Por 3 ndeshjet e ardhshme janë jashtë fushe dhe Italia do të duhet të ndryshojë disa gjëra në lojën e saj, megjithatë Lipi sheh përpara me shumë besim. “Jam shumë i kënaqur për pjesën e parë të ndeshjes, sidomos për disa aksione mjaft të bukura, frut i bashkëpunimit midis sulmuesve. Por është i rëndësishëm edhe fakti që në mbrojtje nuk kemi rrezikuar shumë. Nuk ishte e lehtë të luaje kundër Skocisë, që mbrohej shumë fort dhe kundërsulmonte rrezikshëm dhe ishte e vështirë të gjeje hapësira”. Për trajnerin italian, rënia fizike e pjesës së dytë është mëse normale: “Kur luan me lojtarë që kanë karakteristika të veçanta, është e lehtë që të vuash pak me kalimin e kohës. Patëm probleme në disa raste, por pastaj arritëm ta mbyllnim takimin dhe ky është një fakt pozitiv”. Paraqitjet e Kasanos dhe Totit e kanë kënaqur Lipin: “Kasano është një lojtar që nuk dëshiron të habisë me efekte speciale, por bën atë që ndjen në një moment të caktuar dhe më duket e drejtë. Totin e zëvendesova sepse ishte pak i lodhur dhe pastaj kishte pasur disa probleme fizike në mesjavë, por ndeshja e tij, si ajo e Kasanos, më pëlqeu”. Skema me tre sulmues mund të thuhet se e ka kaluar klasën, por nuk do të jetë zgjedhja e vetme, siç shpjegon Lipi: “Tridhëmbëshi është njëra nga armët që kemi në dispozicion. Pastaj varet nga tipi i ndeshjes dhe nga mënyra si ajo zhvillohet. Kundër Skocisë filluam me tre sulmues dhe pastaj ndryshuam, në një rast tjetër mund të ndodhë që të fillojmë me një modul tjetër dhe të përfundojmë me tre sulmues”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›