Eto: Çelsi vetëm mashtron

28/03/2005 Sulmuesi i Barcelonës, Samuel Eto, ka kritikuar sërisht ekipin e Çelsit, në lidhje me mënyrën sesi ata u sollën në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të zhvilluar në “Camp Nou”, por ka këmbëngulur se ai po përqendrohet më tepër tek suksesi në kampionat. “Për mendimin tim, dikush që flet shumë kur humbet dhe arrin të fitojë, duke bërë dredhi nuk mund të thotë se ka arritur gjithçka”- deklaroi Eto. “Është një situatë e keqe, kur Frisk u kërcënua jo vetëm personalisht, por edhe familjarisht. Futbolli është si boksi: dikush humbet dhe mbetet pa asnjë titull, por t’i mund të shohësh, se ai ka dhënë gjithçka në lojë. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe midis dy skuadrave profesioniste”. Barcelona u eliminua nga Liga e Kampioneve, pas humbjes me rezultatin e përgjithshëm 5-4, si pasojë e disfatës 4-2, në “Stamford Bridge”. Por gjithashtu, sulmuesi i Barcelonës, ka bërë të ditur, se eliminimi kaq i shpejtë, i ka bërë ata më të vendosur për të marrë një titull në Evropë, sezonin e ardhshëm. “Ne nuk arritëm të vazhdonim në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve, sepse në “Camp Nou” kishim mundësinë të përfundonim gjithçka, por tashmë është e kotë të kthesh kokën prapa”- shtoi më pas Eto. “Kemi mësuar nga gabimet dhe nuk do t`i bëjmë vitin e ardhshëm”. Ndërkohë, Barcelona do të mundohet të marrë edhe titullin e parë në Primera Division, që nga viti 1999-të. Katalansit janë 11 pikë larg ndjekësve të Real Madridit, por kamerunasi ka theksuar, se Barça duhet të vazhdoj të jetë e përqendruar. “Ne nuk mund të qetësohemi, sepse në këtë rast mund të ndodhë edhe më e keqja”- shtoi ai më pas. “Duhet të kuptojmë, se mund të dështojmë, por ne do të bëjmë që kjo mos të ndodhë. Titulli është në duart tona dhe ne duhet ta mbajmë atë. Reali është një ekip i fortë, por ata janë të dytët dhe ne duhet të përqendrohemi vetëm tek loja jonë. Nuk duhet të ndërrojmë mënyrën tonë të sulmit dhe në momentin, që do të bëjmë diçka të tillë do të kemi probleme, sepse nuk jemi kompetitiv në luftën, në ajër. Ne duhet të luajmë me pasime të shkurtra dhe kemi lojtarët e nevojshëm për të bërë këtë gjë. Jemi një skuadër e madhe dhe për më tepër jemi me këmbë në tokë. Kemi kuptuar, se futbolli është gjëja më e rëndësishme dhe besoj se ky ekip është në gjendje të arrijë gjëra të mëdha. Jemi të rinjë, kemi një të ardhme përpara dhe mbi të gjitha kemi dëshirën për të arritur gjithçka. Nëse dikush ka fituar pesë ose gjashtë herë kampionatin dhe tre herë Ligën e Kampioneve, mendon “edhe nëse e humbim këtë s`ka problem”. Prandaj nuk është rastësi, që ne jemi të parët”- përfundoi kamerunasi.