E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet shtëpia, 4 familje mbeten pa strehë

SHKODËR Shkëndija elektrike mendohet të ketë qenë shkaku u zjarrit që ka përfshirë një banesë dykatëshe në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e së premtes, në zonën pranë sheshit “Isa Buletini” të Shkodrës, në vendin e quajtur rrugica e Arrës së Madhe. Shtëpia në fjalë është pronë e shtetasit Prel Pali, i cili në atë moment nuk ndodhej në banesë. Fillimisht vatra e zjarrit është shfaqur në katin e dytë të shtëpisë dhe flakët janë vënë re nga komshinjtë, të cilët kanë lajmëruar zjarrfikëset. Brenda pak minutave, zjarri ka përfshirë gjithë banesën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, madje në banesë janë dëgjuar edhe shpërthime. Një pjesë e çatisë së shtëpisë është shembur dhe për pasojë tjegullat kanë goditur një kalimtare, duke e plagosur atë lehtë në kokë. Dëmet materiale llogariten në miliona lekë, ndërsa dëme në njerëz nuk ka, pasi brenda në banesë nuk ka pasur njeri. Është dashur më shumë se dy orë që zjarrfiksët të vënë nën kontroll situatën, duke shpëtuar nga flakët dhe shumë banesa private që ndodheshin aty pranë. Shkak i rënies së zjarrit, sipas policisë, dyshohet të jetë bërë një goditje e energjisë elektrike, që ka provokuar shkëndija zjarri në sistemin e amortizuar elektrik të banesës. Në këtë banesë jetonin katër familje. Edhe pjesa e shpëtuar e saj nuk është e banueshme, pasi nga zjarri rrezikon të bjerë dhe çatia e muret ndarëse që akoma janë në këmbë. Brenda dy ditësh, energjia elektrike shkakton djegie banesash në Shkodër, ku një ditë më parë në lagjen Bahçallek mori zjarr një shtëpi trekatëshe, në katin e parë të së cilës kishte dyqane. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikëseve dhe fakti që banesa kishte pak vite e ndërtuar, ka bërë që zjarri të mos e shkrumbojë tërësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›