E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet transformatori kinez, Gjirokastra pa energji elektrike

GJIROKASTER – Djegia e një transformatori në nënstacionin elektrik lë pa drita Gjirokastrën. 

Ka qenë ora 23:45 e së mërkurës kur një zjarr i fuqishëm përfshiu njërin nga transformatorët matës të nënstacionit elektrik të qytetit, duke e zhytur krejt qytetin dhe zonat përreth në errësirë të plotë. Pas pak minutash ka ndërhyrë reparti i zjarrfikësve të rrethit të Gjirokastrës, i cili ka bërë të mundur eliminimin e plotë të flakëve të zjarrit duke mos lejuar përparimin e tij në ambiente të tjera të nënstacionit. Sipas specialistëve të nënstacionit elektrik, zjarri është shkaktuar si rrjedhojë e amortizimit total të pajisjeve elektrike që janë në funksion prej katër dekadash. Drejtuesve të filialit elektrik të Gjirokastrës dhe të nënstacionit elektrik pohojnë se, aparatura e shkatërruar nga djegia është e llojit të rrallë, prodhim kinez i viteve ’60 dhe zëvendësimi i saj është pothuajse i pamundur. “Edhe në Kinë kjo aparaturë nuk gjendet, pasi është nxjerrë jashtë funksionit”, shprehen specialistët. Për pasojë të 34 mijë banorët e qytetit të Gjirokastrës do të ndjejnë mungesën e energjisë elektrike gjatë ditëve të ardhshme si pasojë e kufizimeve të detyruara, që do të ndërmerren për këtë arsye. Nënstacioni i Gjirokastrës si një ndër të parët në Shqipërinë e atëhershme, është ndërtuar nga italianët në vitin 1939 dhe gjatë gjithë kësaj kohe në të ka pasur vetëm ndërhyrje riparuese të pjesshme. Prej katër vitesh ka startuar ndërtimi i nënstacionit të ri elektrik, i cili ka përfunduar por që pritet që shiritin e inaugurimit ta presë kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij të pritshme në Gjirokastër.                        p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›