E Diel, 1 Nëntor 2026

Diktatura në favor të Kadaresë për në listën e Nobelit

12/04/2005  Cilat ishin masat revolucionarizuese të ndërmarra nga partia sipas shembullit kinez? Cilat ishin masat që mori Enveri në ushtri sipas mësimeve kineze? Si lindi miti “i rrezikut të jashtëm” që i vinte Shqipërisë nga rrethimi kapitalisto-revizionist? Kur filloi periudha e ndërtimit të panumërt të bunkerëve? Si u përhap ideja maoiste në fushën e kulturës shqiptare? Pse u favorizua shkrimtari Ismail Kadare nga diktatura?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Nëse vihej detyrë arritja e rendimentit në bujqësi, ajo tingëllonte në formën e kësaj thirrjeje: “Për revolucionarizimin e treguesve të planit të prodhimit të drithërave”. Ndihma e ndërsjellë e fshatarëve për ndërtimin e shtëpive ishte një nismë “revolucionare”, ndonëse një praktikë e tillë ekzistonte edhe gjatë regjimit të Zogut, madje, edhe gjatë pushtimit turk. Më në fund, u shfaq edhe një togfjalësh, i cili nuk shprehte asgjë: “revolucionarizimi i plenumeve të partisë”.

Sipas shembullit kinez, nisi të vihej në përdorim metalurgjia shtëpiake: në “furrnelat” e punishteve të zanatçinjve hekurpunues gjoja shkrihej çelik, ndërsa në të vërtetë, shpenzohej dhe shkonte krejt dëm tërë lënda e parë, e çmueshme. Kjo “nismë” që u shua shumë shpejt, nuk kishte asgjë të përbashkët me detyrat për zhvillimin ekonomik edhe pse u ndërmorr si një nga elementet e “hopit të madh”. Po kështu nuk solli forcimin e ushtrisë as zbatimi i praktikës kineze të heqjes të gradave ushtarake. Në rrethanat e një histerie ksenofobe, që nxitej nga propaganda zyrtare, u fry deri në përmasa të pabesueshme miti i “rrezikut të jashtëm ” që i vinte Shqipërisë nga rrethimi kapitalisto-revizionist. Pikërisht në këtë periudhë fillloi ndërtimi i bunkerëve e i fortifikatave të panumërta, të destinuara për të mbrojtur vendin prej sulmeve të armiqve nga deti dhe nga ajri. Këto ndërtime të zymta, të bëra me paratë e popullit, zgurdullojnë zgoret e zeza të frëngjive nëpër male dhe përhapen bregdetit si breshka të shëmtuara. Të vjetëruara dhe gjysmë të fshehura nga shkurret dhe barërat e këqija, dhe sot në mijëvjeçarin e tretë, ato ruajnë kujtimin e përmendoreve të marrëzisë kriminale, pjellë e mendjes së qeveritarëve.

Pasoja të rënda nga dalldisja pas ideve maoiste pati dhe fati i kulturës shqiptare. Futja e detyruar e metodës së realizmit socialist në vitin 1949, në Konferencën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë , u plotësua me vendimet e KQ të PPSH-së që hapën fushatën kundër kozmopolitizmit dhe ndikimeve borgjeze. Dallohet ndërmjet tyre vendimi “Mbi zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë dhe artit” (maj 1961). Shkrimtarët dërgoheshin në mjedise punëtore dhe fshatare, për te grumbulluar diturinë e popullit e për të krijuar pastaj vepra me tema nga prodhimi, të cilat duhet të kishin në qendër heroin pozitiv. Rimbjellja në truallin shqiptar e stereotipeve maoiste solli në jetë, në fillim të viteve 70-të, fushtatën e “luftës ideo-estetike” kundër ndikimeve të huaja, në mënyrë të veçantë me karakter liberal, “shfaqjes së hermetizmit e formalizmit në poezi, objektivizmit e humanizmit abstrakt në prozë”, siç u tha në një nga pleniumet e PQ të PPSH-së, në qershor të vitit 1973.

Nuk mund të rrinte pa dhënë kontributin e vet në interpretimin e procesit letrar dhe ideologo kryesor i partisë, E.Hoxha, i cili, në këtë plenium mbajti fjalimin “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave”.

Si përfundim i gjithë këtyre fushatave e përpunimeve partiake, inteligjenca krijue se u detyrua të hiqte dorë nga honoraret e të pajtohej me ato kufizime, të cilat u çuan në minimum individualitetin e autorit. Për rrjedhojë, dolën një numër i madh veprash konjukturale, të cilat u jepnin shpesh autorëve mundësinë për të fituar të drejtën e botimit e të një gjykimi relativisht të pavarur. Ky ishte zakonisht një haraç, që duhet të paguante shumica e përfaqësuesve të inteligjencës, në kushtet e sistemit administrativo-komandues, duke rrezikuar të merrte vulën e lajkatarit e të konformistit. Shembulli i qartë për këtë është fati i Ismail Kadaresë, njërit prej shkrimtarëve shqipëtar të sotëm më të njohur në atdhe dhe jashtë tij.

I përkëdhelur nga pushtetarët fati, i cilësuar nga ideologët partiakë si një nga klasikët e letërsisë së realizmit socialist, me vargje të stisura dhe me sajesa prozaike, I.Kadareja u bëri jehonë të gjitha ngjarjeve të bujshme të jetës politike të Shqipërisë. Përmbushja e zellshme e porosive shoqërore, siç janë romanet “Dimri i madh” dhe “Koncert në fund të dimrit” i dha mundësinë Kadaresë të ishte krahasimisht i lirë në zgjedhjen e temave “të zemrës” dhe ai vazhdoi rrugën e çelur nga romanete viteve ’60, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e “Kronikë në gur”, duke botuar vepra në prozë si “Prilli i thyer”, “Ura me tre harqe”, “Dosja H” etj. Pasi u përkthyen në shumë gjuhë, ato e bënë të njohur në Evropë. Në periudhën e viteve ’80-’90, falë rrethanave të favorshme politike, që u krijuan për shkrimtarët e vendeve të Evropës Lindore, ai hyri në listën e kandidatëve për çmimin Nobel në letërsi.

Thirrja e ideologëve partiakë për ta shpënë më tej revolucionarizimin ideologjik, kulturor e tekniko-shkencor solli në jetën kulturore e arsimore skemën e vështrimit klasor të jetës në tërësi. U forcua akoma më shumë ndikimi partiako-dogmatik mbi shkencën, letërsinë, artin, arsimin. Nën parrullën e ashpërsimit të luftës së klasave sa më shumë i afrohemi komunizmit dhe e domosdoshmërisë së organizmit të rezistencës kundër ideologjisë borgjeze, ndodhën procese, që në mënyrën objektive çonin në ruajtjen e nivelit kulturor të popullit, si ilustrim për këtë shërben i ashtëquajturi “revolucionalizimi i shkollës”.

Zhvillimi harmonik i njeriut, edukimi estetik, zbulimi i talenteve, sipas pikëpamjes së drejtuesve të kulturës të PPSH-së, çonte në intelektualizëm e karrierizëm, në shndërrimin e dijeve në një stol mikroborgjeze, “në një mjet për të sunduar masat, siç ndodh në vendet kapitaliste e revizioniste”. Frika nga njerëzit e mençur, karakteristike për qarqet drejtuese në të gjitha regjimet diktatoriake, kishte pushtuar gjithashtu edhe E.Hoxhën, edhe rrethin e tij jo të arsimuar. Ai mbajti disa predikime publike midis mësuesve, pedagogëve të instituteve e shkencëtarëve për dëmin “e prirjeve intelektualiste”. “Shkrihuni me popullin, -u bënte thirrjeve ai,- të jenigjithmonë pranë tij, mësoni nga masat! Vetëm në këtë mënyrë do të kaliteni si revolucionarë”.

Intelektuailizmi, dijet e tepërta dhe “çoroditjet” e këtij lloji nuk e kërcënuan asnjehërë sistemin e arsimit të mesëm e të lartë shqiptar, i cili filloi të zhvillohej vetëm pas fitores së revolucionit popullor. T’i quaje arritjet e shkencës bashkëkohore si shpikje të borgjezisë dhe me këtë pretekst, t’u mbyllte punonjësve prespektivën për të zotëruar tërë pasuritë e shkencës, kulturës dhe artit, ja qëllimi i natyrshëm i modelit shqiptar të socializmit të kazermës, për të cilin nxitja e mendimit të lirë krijues ishte e barabartë me vetvrasje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›