E Diel, 1 Nëntor 2026

Në një botë edhe më të ndarë

11/04/2005  Si mund të gjendet një Papë për të gjithë katolikët

Ashtu si çdo grup tjetër në një shoqëri pluraliste, edhe katolikëve do t’u duhet t’u shpjegojnë të tjerëve vetveten, dhe mbi të gjitha, duhet të flasin me qartësi dhe vazhdueshmëri. Vala e fundit e skandaleve të pedofilisë, po e bën këtë shumë më të vështirë

Ndonëse anon nga Europa, përbërja e Kolegjit të Kardinalëve është më shumë se kurrë e barazndarë gjeografikisht. Kjo ka shkaktuar edhe frikën që, ndryshimet në qëndrim brenda kishës, mund të çojnë në një gjendje pezull të Konklavës mes një grupi të madh europian dhe një blloku më të vogël, por pengues, amerikano latin

Të drejtosh një organizatë globale me 4700 drejtues të lartë (peshkopë), 400 000 menaxherë linje (priftërinj), duhet të jesh më shumë një drejtues i aftë, sesa një pastor i shenjtë. Paradoksalisht, mund të jetë një njeri i brendshëm, ndoshta italian, që jo vetëm mund të jetë në gjendje të drejtojë burokracinë e Vatikanit, por edhe ta reformojë atë

Dyshimet postkoloniale bëjnë që të mos ketë gjasa për zgjedhjen e një britaniku, francezi, apo spanjolli, ndonëse një katalonjas mund të kualifikohet. Ndarjet brenda kishave gjermane dhe holandeze janë kaq të thella dhe të dhimbshme saqë, zgjedhja e një pape nga këta vende, do të shkaktonte tensione. Kjo lë vendet e vogla europiane, mes tyre Belgjikën. Dhe natyrisht, ka shumë gjasa që kardinalët ti rikthehen sërish zgjedhjes së një italiani

Një bashkim i ri global erdhi i shpejtë si një shkrepëtimë, dhe nisi të shpërbëhet po menjëherë. Kështu do ta kujtojnë historianët në të ardhmen funeralin e Papa Gjon Palit II, në të cilin morën pjesë qindra-mijëra vetë dhe që u ndoq nga televizioni nga afro 2 miliardë vetë.

Kryesisht, falë mundësive elektronike që edhe vetë Papa i përdorte, kalimi i tij në botën tjetër ka krijuar një ndjenjë të thellë vëllazërie dhe fati të përbashkët, mes njerëzve në qoshet më të largëta të botës. Nga këta, afro 1.1 miliardë, ose 17 % e njerëzimit, janë të të njëjtit besim me të, një numër i madh i të tjerëve, e admironin nga një distancë edhe më e largët.

Më shumë prej karizmës personale sesa çdo lloj teknike qeverisjeje apo retorike, Gjon Pali kishte aftësinë të bindte punëtorët polakë, infermieret filipinase, zjarrfikësit në Detroit apo shtëpiaket spanjolle se, i kuptonte shpresat dhe frikërat e tyre. Në një epokë e cila ka mall për ikona, por që megjithatë e keqpërdor këtë fjalë, ai do të mbetet gjithnjë një figurë me të vërtetë ikonë: një personalitet që shkaktoi tek ndjekësit një ndjesi që, përmes tij, ata shihnin diçka nga përjetësia.

Për admiruesit më të mëdhenj të Papës, dy prej tipareve më të theksuara që duhet të ketë Kisha Katolike në vitet e ardhshme – cilatdo qofshin vendimet që do të merren tani – do të jenë mungesa e pranisë fizike të Papa Gjon Palit dhe ndikimit të tij si burim frymëzimi. Ndoshta nuk ka asnjë udhëheqës tjetër në botë, në funeralin e të cilit do të marrin pjesë si, George Bushi i SHBA ashtu edhe Mohamad Khatami i Iranit, dhe që të frymëzojë shprehje ngushëllimi, si nga këta, si nga Fidel Kastro i Kubës. As nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Krishtërimit që të ketë jetuar një klerik i lartë, gatishmëria e të cilit për të ndërtuar ura dhe njohur gabimet e së kaluarës, ka tërhequr kaq shumë simpatinë e hebrenjve, myslimanëve, dhe të krishterëve jokatolikë të cilët janë instiktivisht dyshues ndaj Romës.

Ai mori përsipër papatin në një kohë kur rëndësia e saj në çështjet globale, së bashku me atë të shumë institucioneve të tjera fetare, u duk se po zvogëlohej. Ai la trashëgim një kishë që nuk jep asnjë shenjë përuljeje. E megjithatë, nën fanfarën dhe dhembjen, ka një ndjenjë meraku se kisha ndodhet përballë jo një, por disa sfidave ekzistenciale të cilat, asnjë individi, sado me dhunti apo karizmatik të jetë, nuk mund t’i përballë i vetëm.

Në hemisferën e pasur veriore, ku kredibiliteti i peshkopëve katolikë është shkatërruar për shkak të akuzave për abuzime me fëmijë, dhe ku prirjet për t’u bërë priftërinj kanë ardhur duke rënë, ka ende nevojë për të pastrën. Mbi të gjitha, Kisha duhet të gjejë një zë të qartë, koherent dhe gjithpërfshirës në shoqëritë ku katolicizmi, do apo nuk do, në të ardhmen mund të jetë në minorancë, madje edhe në shtetet ku besnikëria ndaj Romës i ka rrënjët të thella.

Çështja e zgjedhjes

Çfarëdo që të ketë arritur Papa, ai nuk ka ngulitur tendencën në të gjithë shoqëritë e përparuara, përfshirë Amerikën relativisht të devotshme, drejt pohimit të “zgjedhjes” në çështjet fetare, si edhe ato seksuale dhe riprodhuese.

Pjesërisht falë Papës, dhe apelit ndaj një pjese të formës së tij intense të misticizmit dhe devocionit, ka minoritete në shumë vende perëndimore, që zgjedhin lirisht të jetojnë në bazë të rregullave që janë më striktë nga ato që mund të pranojnë shumë qytetarë. Katolikët e devotshëm do të jenë një grup i tillë, myslimanët e devotshëm po kështu në anën tjetër. Por, ashtu si çdo grup tjetër në një shoqëri pluraliste, edhe katolikëve do t’u duhet t’u shpjegojnë të tjerëve vetveten, dhe mbi të gjitha, duhet të flasin me qartësi dhe vazhdueshmëri. Vala e fundit e skandaleve të pedofilisë po e bën këtë shumë më të vështirë.

Në të vërtetë, ka disa pjesë të botës, përfshirë Irlandën dhe enklavat katolike në Shtetet e Bashkuara, ku efekti i këtyre skandaleve, ende nuk ka qenë shumë i plotë. Në Amerikë, kriza e brendshme e katolicizmit ka qenë maskuar deri në një farë mase nga imigrimi nga Amerika Latine dhe suksesi i një “të djathte fetare” e cila mbledh kristianët e të gjithë llojeve, si dhe aleatët e tyre taktikë nga bota laike, përreth disa kauzave të tilla, siç janë kundërshtia ndaj abortit dhe martesave të homoseksualëve. Por pasojat psikologjike dhe financiare të rasteve të abuzimit me fëmijët, si dhe perceptimi që ato u fshehën keqaz, do të ndihen edhe për shumë vite.

Edhe në botën në zhvillim, ku besimi katolik ka ende një influencë të madhe dhe nuk ka krizë, kisha mund të përballet gjithnjë e më shumë me pyetje të vështira, nga vetë rrënjët e saj në lidhje me qëndrimin e saj të ashpër në çështjet e riprodhimit. Sepse, është moralisht e pamundur t’i thuash një nëne braziliane që i ka tashmë gjashtë fëmijë, se duhet të vazhdojë të lindë pafundësisht – dhe është krejtësisht e gabuar t’i thuash një çifti të shmangë perzervativët, kur njëri prej tyre ka SIDA.

Pas një çerekshekulli dominim nga teologët konservatorë, sëra e lartë e kishës është spastruar nga disidentët shqetësues. Por herët a vonë, do të dëgjohen zëra nga radhët më të ulëta. Nuk është e thënë që të jenë zëra liberalë në kuptimin që e përdorin këtë fjalë vendet e pasura: ata nuk do të kërkojnë në linjë “çdo gjë mund të ndodhë” mbi seksualizmin. Por ata do të kërkojnë që Kisha të marrë më shumë në konsideratë jetën reale në vende ku pushteti i saj është më i madh.

Ata vendosin

Atmosfera relativisht e ftohtë dhe intelektuale e katolicizmit në vendet e pasura, mund të duket shekuj larg qyteteve me baraka të Meksikës, ku besimtarët e shtypur shohin me vështrime lutëse, imazhet e Virgjëreshës. Por natyrisht, mund të hiqen vija lidhjeje mes këtyre dy universeve. Katolicizmi global u ofron njerëzve në botën e pasur, një ndjesi të thellë të lidhjeve të tyre me të varfërit e të njëjtit besim. E megjithatë, ka njerëz – edhe katolikë – që shohin një anë negative të boshtit veri-jug që kalon nëpër komunitetin e tyre.

Kisha katolike është shpesh më e aftë në influencimin e vendimeve të qeverive të botës së tretë – ose direkt, ose përmes ndikimit mbi SHBA – se sa në udhëheqjen e sjelljes së njerëzve të zakonshëm. Siç thonë kritikët, kjo mund të ketë efekte groteske anësore. Për shembull, diplomacia e Vatikanit ka më shumë gjasa t’i kthejë mendjen qeverive në botën në zhvillim, që të mos lejojnë abortin e ligjshëm se sa të ndalojë gratë e dëshpëruara që përpiqen të abortojnë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj, thonë kritikët, rritet numri i grave që përpiqen në aborte amatore. Natyrisht, ka edhe kundërargumenta, por gjithësesi këta argumenta duhet të dëgjohen në rangjet e larta të Kishës.

Në të njëjtën kohë, nuk është e lehtë të shohësh se, si do të përballeshin me këta realitete konfliktuese kardinalët që do të zgjedhin pasardhësin e Gjon Palit II. Një Papë që vjen nga bota e tretë ka më shumë gjasa që të jetë konservator, sidomos në çështjet e homoseksualizmit, sesa liberal. Ai do të këmbëngulte se në disa pjesë të Afrikës apo Azisë, ku konkuruesi më i madh i Kishës është Islami, njerëzit kanë nevojë për një mjekësi të fortë shpirtërore, jo kompromiset e zbukuruara që mund të bëjnë apel në Boston.

Marrëdhëniet me myslimanët

Në të gjithë kishën, ka patur një pikëpamje gjithnjë e më të shpeshtë se, që nga 11 shtatori 2001, marrëdhëniet me myslimanët do të jenë një prej sfidave të Papës së ardhshëm. Ndihet se me intuitën dhe energjinë e tij, Papa Gjon Pali II, çoi deri në limit dialogun kristiano-mysliman: në Marok, Damask, dhe në Kazakistan, ai theksoi vendosmërinë e Kishës për të shmangur çdo lloj “përplasje qytetërimesh” mes dy besimeve. Tani mund të ketë nevojë për tu përqëndruar në mbrojtjen e kristianëve në vende ku ata ndihen të sulmuar nga furia myslimane. Ndërkohë që politika e Gjon Palit II në vitet e para ishte në konsensus me atë amerikane, diplomacia e Vatikanit është distancuar vitet e fundit nga ajo e SHBA – me qëllim që të mos lejojë myslimanët antiperëndimorë të mendojnë se janë edhe antikristianë.

Por nuk ka asnjë kandidat për papatin që të personifikojë zgjidhjen e të gjithë problemeve kristiano-myslimane. Ashtu si një Papë i botës së tretë mund të mos jetë një radikal social apo ekonomik, një papë me përvojë në Islamin, mund të mos jetë i butë në marrëdhëniet me botën myslimane.

Duke thënë këtë, zgjedhja e mundshme e Kardinalit të Nigerisë, Francis Arinze, mund të dërgojë një sinjal se kisha ka prioritet rregullimin e marrëdhënieve me Islamin. Ai vjen nga një vend me popullsi thuajse të barabartë kristiane dhe myslimane dhe deri në vitin 2002, ai ishte shef i departamentit të dialogut ndërfetar.

Një tjetër kandidat që do të mund të merrej në konsideratë nëse Islami përbën shqetësim kryesor, është Ivan Dias, kryepeshkop i Bombeit: ai ka shërbyer si diplomat i Vatikanit si në Indonezi, ashtu edhe në Madagaskar. Por, sado i rëndësishëm që të jetë dialogu me islamin, shumë vetë mendojnë njëkohësisht se ai është një temë kaq e ndërlikuar, saqë mund të ketë nevojë për gjykim të mëtejshëm përpara se të vihet në qendër të vëmendjes.

Kështu që, kardinalët mund të vendosin të fokusohen në kthimin mbrapsht të “braktisjes së heshtur” të katolikëve në botën e pasur – prirja e padukshme që ka parë miliona katolikë të pagëzuar të mos praktikojnë rregullisht besimin e tyre. Ekziston pra, një arsye e shëndoshë për të zgjedhur një Papë liberal që e kupton Perëndimin. Një Papë nga SHBA është e pamundur të ndodhë, sepse kjo do ta identifikonte Kishën me të vetmen superfuqi. Nga ana tjetër, mund të jetë e mundur zgjedhja e një kanadezi.

Dyshimet postkoloniale bëjnë që të mos ketë gjasa për zgjedhjen e një britaniku, francezi, apo spanjolli, ndonëse një katalonjas mund të kualifikohet. Ndarjet brenda kishave gjermane dhe holandeze janë kaq të thella dhe të dhimbshme, saqë zgjedhja e një pape nga këta vende do të shkaktonte tensione. Kjo lë vendet e vogla europiane, mes tyre Belgjikën. Dhe natyrisht, ka shumë gjasa që kardinalët ti rikthehen sërish zgjedhjes së një italiani. Duke lënë mënjanë epokën fashiste, Italia nuk ka një histori të pakëndshme në sytë e katolicizmit botëror. Italianët janë perëndimorë, e megjithatë, jo edhe aq shumë të identifikuar me Amerikën. Dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, kisha italiane ka qenë goxha e suksesshme në përballjen me kontradiktat bashkëkohore.

Kjo sjell në panoramë kandidatë si Dionixho Tettamanzi, kryepeshkop i Milanos, Ennio Antonelli, kryepeshkop i Firences dhe Giovani Battista Re, kreu i departamentit në Vatikan, që bën koordinimin e peshkopëve në botë.

Por, përpara mendimit që papa i ardhshëm të jetë europian, dhe, nëse jo progresist, të paktën i moderuar, ka dy vështirësi. Së pari, në kishën katolike nuk ka shumë progresistë në postet e larta. Ka edhe më pak në Kolegjin e kardinalëve, 95 përqind e të cilëve janë zgjedhur nga Gjon Pali II.

Kjo, nga ana e saj do ta përqëndronte vëmendjen në atë që në zhargonin e klerikëve quhet”kolegjializëm” – ose atë që të tjerët mund ta quajnë demokraci të brendshme, një term që në kishën katolike është shumë relativ. Gjon Pali kishte pak kohë për këtë: ai mbajti një grusht të hekurt mbi klerin dhe kjo ka shkaktuar një dëshirë të madhe për më shumë liri në nivel lokal, sidomos në botën e tretë.

Por si mund ta përdorin këtë liri peshkopët? Kjo është një pyetje e cila shqetëson shumë prej kardinalëve më konservatorë, dhe sidomos kur ajo zbatohet në Afrikë apo Azi, ku ka gjithnjë emë shumë trysni për të përfshirë në liturgji praktikat vendase.

Çështja bëhet disi më pak e ndjeshme në Amerikën Latine. Mbi 40 përqind e katolikëve të pagëzuar janë nga Amerika Latine – dhe pjesa më e madhe e tyre e praktikojnë besimin të cilit i përkasin. Paradoksalisht, kjo shkakton një problem për konkurentët latino amerikanë. Rajoni i tyre, thotë kundërargumenti amerikan, nuk është qendra e problemeve. Besimtarët në Amerikën Latine do të mbeten besimtarë.

Kjo është e vërtetë. Por ata janë gjithnjë e më pak të bindur. Mjafton të shohësh rënien e numrit të lindjeve në Brazil për të kuptuar se katolikët në Amerikën Latine i janë nisur një rruge të përshkuar tashmë nga vende të tjerë si Portugalia, Spanja dhe Italia – gjë që mund të çojë nga mosbindja, në mohim.

Kjo shpjegon arsyen përse, ndonëse pjesa më e madhe e kardinalëve latino-amerikanë janë konservatorë, pjesa më e madhe e kandidatëve të tyre për papë janë progresistë. Kjo përfshin Hoze Maria Bergolion, kryepeshkopin jezuit të Buenos Airesit, Klaudio Humes, kryepeshkopin franciskan të Sao Paolis dhe Oskar Rodrigez Maradiaga i Hondurasit.

Ndonëse anon nga Europa, përbërja e Kolegjit të Kardinalëve është më shumë se kurrë e barazndarë gjeografikisht. Kjo ka shkaktuar edhe frikën që ndryshimet në qëndrim brenda kishës mund të çojnë në një gjendje pezull të Konklavës mes një grupi të madh europian dhe një blloku më të vogël, por pengues amerikano-latin.

Pastor i shenjtë, apo drejtues i aftë?

Papa i ardhshëm do të ketë nevojë për votat e dy të tretave të 116 kardinalëve-zgjedhës. Kështu që, një kandidaturë mund të bllokohet nga 39 vota. Vetëm kardinalët latino-amerikanë mund të mbledhin 21, dhe ndoshta do të kenë mbështetjen e shumë votuesve të tjerë nga bota në zhvillim. Sipas rregullave të nxjerra nga vetë Gjon Pali në 1996, në rast të një mosarritjeje të pragut prej dy të tretash, mund të ketë zgjedhje me mazhorancë të thjeshtë – nëse më shumë se gjysma e kardinalëve bien dakord për këtë.

Nëse ndodh një bllokim, gjithmonë ka ndodhur që konklava preferon njeri me spiritualitet të lartë. Në këtë kuadër janë hedhur shumë emra, si për shembull ai i Jean Claude Turcotte, kryepeshkop i Montrealit.

Të tjerë, megjithatë, ende ndiejnë se të drejtosh një organizatë globale me 4700 drejtues të lartë (peshkopë), 400 000 menaxherë linje (priftërinj), duhet të jesh më shumë një drejtues i aftë sesa një pastor i shenjtë. Paradoksalisht, mund të jetë një njeri i brendshëm, ndoshta italian, që jo vetëm mund të jetë në gjendje të drejtojë burokracinë e Vatikanit, por edhe ta reformojë atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›