E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Berisha nuk ka strategji për të qeverisur

11/04/2005  "Në mjedisin e tij primitiv politik edhe gratë sillen si meshkuj të këqinj"

Kryetari i PS-së Fatos Nano ka përfituar nga Konventa e grave socialiste, për të sulmuar kundërshtarin e tij, Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, Nano ka rikujtuar se situata më e vështirë që ka kaluar Shqipëria, ajo e piramidave, ka ardhur gjatë drejtimit të shtetit nga Partia Demokratike. Ndërkohë, dje Kuvendi i Grave të PS, ka zgjedhur Majlinda Ketën si drejtuesen e tyre.

Sulmi

"Ju e njihni më mirë se çdokush dhimbjen e nënës, ndaj ngrihuni në këmbë për të ndalur rikthimin në pushtet të aventurierit Sali Berisha, që flokët e bardha të shumë nënave i ka mbuluar me shami të zeza", tha Nano në qëndrimin e tij. Ndërsa ka shtuar se, Shqipëria sot, për shkak të qeverisjes socialiste, nuk ka të krahasuar jo më me ’96 apo ’97, por as me fillimin e viteve 2000. Ndaj, kreu i PS është shprehur se PS do të fitojë zgjedhjet pasi opozita aktuale nuk është e organizuar. "Kemi përballë një opozitë të pabesueshme dhe pa alternativa, që vazhdon të drejtohet nga një lidership i degraduar, me mangësi dhe praktika që e çuan vendin në katastrofën e para 8 vjetëve", tha Nano. Ai është shprehur i bindur se, gratë në tërësi, do të vazhdojnë të jenë protagoniste të zhvillimit, "barrikadë e pakalueshme për rikthimin në pushtet të pasigurisë, të ankthit, të papunësisë, të trafikut të organizuar nga shteti, të plaçkitjes dhe shkatërrimit të ekonomisë që kërkojnë të risjellin në Shqipëri falangat e Sali Berishës me xhaketa të kthyera mbrapsht. Edhe Berisha flet për gratë, por mjafton të jesh pak i kujdesshëm për të kuptuar se në mjedisin e tij primitiv politik, edhe gratë sillen si meshkuj të këqinj".

Deklarata

Duke risjellë pjesëmarrjen e tij në ceremoninë mortore të Papa Gjon Palit II, Nano tha: "Tek përcillja dy ditë më parë në emër të Shqipërisë, pra dhe në emrin tuaj, Atin e shenjtë, Papa Vojtilën, për në rrugën pa kthim të Qiellit, m’u kujtua vlerësimi i tij i shkëlqyer për femrat: ´Të gjithë ne kemi nevojë për genin femëror, për të realizuar një shoqëri më të drejtë dhe më të aftë, që të jetë në gjendje të njohë dhe respektojë dinjitetin e qënies njerëzore, theksonte Ati i Shenjtë". Ndërsa duke dhënë statistika mbi pjesëmarrjen e gareve në administratën shtetërore dhe në politikë, kryeministri tha se sot gati 38 për qind e administratës shtetërore, përbëhet nga gra dhe vajza, më shumë se 60 për qind e drejtuesve dhe punonjësve të administratës publike të diplomuar në universitetet janë prej jush. "Është e pamjaftueshme, natyrshëm, për përfaqësimin tuaj me një ministër, 6 zëvendësministre, 5 anëtare të Gjykatës së Lartë, 3 Prefekte, apo 1/6 e posteve drejtuese në hierarkinë shtetërore. Por fakti që numri më i madh i studentëve sot është femra, 45 mijë të rinj gjithsej, 30 mijë janë vajza, është prova më e qartë e vullnetit dhe angazhimit tonë për rritjen dhe zgjerimin e rolit të gruas në jetën e vendit", tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›