E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët, Toro: BE-ja kërkon ligj të ri për pronat

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, deklaroi dje sendërkombëtarët kërkojnë nevojën e një ligji të ri për pronat

TIRANË - Ish- pronarët kërkojnë hartimin e një ligji të ri për pronat, që mbështetet edhe nga ndërkombëtarët. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, ka deklaruar dje në një intervistë për "Shekulli”-n se, nga një raport i përgatitur me ekspertizën e ndërkombëtarëve, i lexuar vetëm para pak ditësh para Parlamentit Europian, citohej domosdoshmëria e hartimit të një ligji të ri për pronat. Sa u përket legalizimeve, Toro tha se, ky proces, është në rrugë pa krye, për shkak të problemit të pazgjidhur të pronësisë.

Z. Toro, prej muajsh, qeveria shqiptare mban të bllokuar vendimin për mënyrën e shpërndarjes së fondit prej 5 milion dollarësh. Cilat janë arsyet sipas jush?

Shpjegimi është shumë i thjeshtë. Qeveria shqiptare është gjendur para pamundësisë së zbatimit të ligjit të kthimit dhe kompensimit tëpronave, duke miratuar, (jo vetëm këtë vit) disa shuma tepër simbolike, prej 500 milion lekësh, apo afërsisht 5 milion dollarë për kompensimin e subjekteve të shpronësuar, në një kohë që, gama e kompensimit që ka për detyrë qeveria të realizojë deri në 2014-ën, kap disa dhjetëra miliarda euro. Sipas llogarisë të shoqërisë sonë, shifra i kalon 30 miliard euro. Në fletoren zyrtare janë miratuar tashmë çmimet, që në shumicën e rasteve, janë të gabuara, sepse njerëzit që janë marrë me llogaritjen e çmimeve, duke qenë politikë dhe të varur nga qeveria, janë përpjekur të zbatojnë interesat politike të qeverisë shqiptare. Shembull flagrant është çmimi i vendosur në Kodër-Kamëz, që është rreth 20 mijë lekë të rinj për metër katror, ndërsa 10 metra më tej, apo ngjitur më Kodër-Kamzën, që është Bathorja, çmimi vendoset 17 deri në 18 herë më lirë, 1300 lekë të rinj për metër katror, gjë që tregon falcitetin e mënyrës së zbatimit në praktikë të metodikës të miratuar nga Kuvendi, përsa u përket çmimeve nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimittë Pronave.

A rrezikohet djegia e këtij fondi?

Jo, unë nuk mund të them se rrezikohet djegia e fondit, sepse shpërndarja e fondit është gjëja më e thjeshtë. Brenda ditës, ky fond, mund të shpërndahet. Që të digjet fondi, do të thotë që të kalohen afatet e përdorimit të tij nga buxheti i shtetit. Por, ky fond, ashtu si vitin e kaluar, shërben për të kompensuar vetëm sipërfaqe, maksimalisht deri në 6000 metra katror, në qytetin e Tiranës, në një kohë që, qyteti i Tiranës, ka nevojë për kompensim mbi 20 milion metra katror toke. Për këtë arsye, ky fond është jashtëzakonisht i vogël e nuk ka asnjë vlerë, përveçse është pjesë e demagogjisë se ne po japim diçka, edhe pse është një pikë uji në oqean.

A mendoni se ALUIZNI ka kapacitetet e duhura për të kryer procesin e legalizimeve, dhe sa mund të zgjidhen problemet e ish-pronarëve nga kjo agjenci?

Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje, është ligji që është kundërshtuar shumë nga shoqata jonë dhe po vazhdon të zbatohet nga një agjenci. Të çudit fakti se, pronarët presin nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që të zbatohet ligji për kthimin dhe kompensimin pronave. Ligji për legalizimin e të paligjshmëve, pra, të shkelësve të ligjit, pengon zbatimin për kthimin dhe kompensimin e pronave, madje atje ku ka kërkesa për legalizim, ligji për kthimin e pronave nuk zbatohet. Pra, ligji i të ligjshmëve, nuk mund të zbatohet se favorizohen të paligjshmit. ALUIZNI, nga ana e tij, është një institucion që ka marrë fonde të palimituara nga qeveria shqiptare. ALUIZNI është i vetmi institucion shqiptar që zotëron edhe financa, edhe mjete, që nuk i ka as zyra e rregjistrimit të pronave, që është institucioni që administron pronat në Shqipëri. Kjo Agjenci zotëron fotografi ajrore, dixhitale, e stafe që kalon dhjetëfishin e stafit të zyrave të regjistrimit të pronave. Tek ALUIZNI punojnë rreth 1600 punonjës, ndërsa në agjencitë e kthimit dhe kompensimit të pronave numri nuk i kalon 160 njerëz. Vetëm në qytetin e Tiranës, ka 7 zyra dhe është institucioni më i favorizuar në Shqipëri. Kjo sepse ka interesa shumë të mëdha elektorale, pasi qeveria, apo partitë që duan të marrin pushtetin me kartën e legalizimit, kanë mundësi të blejnë votat e shqiptarëve. Por ne jemi të bindur që legalizimi nuk mund të bëhet, sepse nuk ka asnjë institucion që ka të drejtë t’i heqë pronarit të drejtën e pronës, në rast se fillimisht, nuk del një akt që të thotë se ai është shpronësuar, se prona del në pronësi të shtetit dhe, mbi të gjitha, pa u kompensuar në natyrë apo para, duke ruajtur të drejtën që ky t’i drejtohet edhe gjykatës, në rast se nuk është dakord për kompensimin që i bëhet. Në këtë kuadër, ne mendojmë se legalizimi është në rrugë pa krye. Nëse ne nuk do të sigurojmë interesat e individit, nga ato të masave, atëherë ne nuk do të ndërtojmë kapitalizëm, por do të jemi ende në mendësitë e vjetra, të cilat e lanë Shqipërinë në gjendjen e sotme, pas 18 vitesh të një tranzicioni të vazhdueshëm e të mundimshëm. Legalizim nuk mund të ketë, por duhet të nxitet mbrojtja e pronarëve të ligjshëm që i mbron kushtetuta dhe karta evropiane e të drejtave të njeriut.

Është parashikuar gjithashtu që, procesi i legalizimeve, të vazhdojë paralelisht me atë të shpronësimeve, në një kohë që, një gjë e tillë, nuk po ndodh. Kam parasysh këtu edhe të dhënat e fundit të ALUIZN-it, ku janë përgatitur 6500 dosje për legalizimin dhe vetëm 8 për shpronësimin.....

Ligji i legalizimeve realisht nuk merret me pronarët. Ligji i legalizimeve bën legalizimet dhe ndan tokat e atyre shkelësve të ligjit, sepse të drejtën për të kompensuar pronarët dhe detyrimin, nuk e ka më ALUIZNI, por Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, detyrë që nuk është e përcaktuar për agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave, por është detyrë e re që i ngarkohet nga ligji i ri i legalizimeve. Kjo nënkupton se, nëse një pronar shkon në zyrat e ALUIZN-it, në lidhje me tokën e tij, ata i thonë shko tek Agjencia e Kthimit të Pronave, se ato të kompensojnë ty, por fakti tregon se, që në 1993, që kur shteti duhet të kompensonte pronat, nuk është kompensuar asnjë pronar.

A ka qeveria, sipas jush, kapacitetet financiare për ta realizuar këtë proces?

Asnjëherë qeveria nuk do të ketë mundësitë dhe kapacitetet për të kompensuar pronarët, sepse shifrat që dalin, e që janë studiuar nga ne, por edhenga faktori ndërkombëtar, del që kapin rreth 30 miliard euro. Nga të cilat, vetëm pjesa e legalizimit, i kalon të 6 milionë eurot. Unë mendoj se, jo kjo qeveri, por asnjë qeveri, nuk i ka kapacitetet, pasi duke favorizuar disa shkelës të ligjit, të cilëve çuditërisht toka po u jepet falas (nga 1 mijë lekë për metër katror), ndërsataksapaguesit shqiptar, do t’i duhet të paguajë shuma marramendëse në favor të shkelësve të ligjit.

Cilët janë hapat që keni ndërmarrë ju si shoqatë, jo vetëm brenda vendit, por edhe gjatë takimeve me ndërkombëtarët? A keni kërkuar një mbështetje nga BE-ja në lidhje me këtë çështje, në një kohë që, vetë qeveria, ka përgatitur progresraportin e saj, ku problemi i pronave ka kaluar përciptazi, pavarësisht se disa organizma, si ajo e OSBE-së, e sheh çështjen e pronave si mjaft delikate?

Ne kemi kontakte të vazhdueshme me komunitetin ndërkombëtar. Edhe përpara tri ditëve, ne kemi pasur një takim, mbi dy orë, me Ambasadorin e Komisionit Europian, ku trajtuam gjerë e gjatë problemin e pronave dhe paaftësinë e qeverisë shqiptare për të zgjidhur problemin e kthimit dhe kompensimit të pronave me këtë frymë që ka ligji aktual.

Prandaj ne kemi këmbëngulur se ka ardhur koha për hartimin e një ligji të ri, të bazuar mbi bazat kushtetuese dhe kartës evropiane të të drejtave të njeriut. Edhe ndërkombëtarët e kanë përgatitur tashmë dhe unë mund t’u them se, vetëm javën e kaluar, atakanë ngarkuar studiues nga vende të ndryshme të botës për të studiuar fenomenin e pronave në Shqipëri. Kështu, në 17 qershor të 2008-ës, ka filluar puna për përgatitjen e këtij raporti, i cili javën e kaluar, u mbajt përpara Parlamentit Europian. Konkluzioni i tyre është që, ligji nuk është zbatuar dhe nuk zgjidh problemin. Praktikisht duhet hartuar një ligj i ri, sepse qeveria është jashtëzakonisht e vonuar në marrjen e masave për zgjidhjen e problemit, duke theksuar këtu edhe tre vendimet e Gjykatës Europiane në lidhje më çështjet e pronësisë, ku shteti shqiptar është dënuar. Pavarësisht se shteti nuk i merr parasysh, mbi bazën e vendimeve të saj, Gjykata orienton shtetin për të zgjidhur problemin e pronësisë. Nuk mund të ketë zgjidhje të tjera, përveç kompensimit fizik të pronës, që ne themi ta zbatojmë në Shqipëri. Të gjitha të tjerat janë të papranueshme dhe vetëm shtyjnë kohën dhe rëndojnë ekonominë shqiptare. Është për të ardhur keq se, edhe pas 18 vitesh, vetëm Shqipëria në Europën Lindore, ka ende problemet e pronave. Ne mbetemi akoma jashtë Europës për shkak të mentaliteteve të gabuara të politikanëve tanë. Edhe pas 18 vitesh ne vazhdojmë të qeverisemi nga të njëjtët njerëz, me të njëjtat mendime dhe me të njëjtën frymë, duke treguar se nuk kanë më as ide, as mundësi për ta çuar Shqipërinë drejt integrimit në Europë.

Për fondin prej pesë milion dollarësh

“Ky fond, ashtu si vitin e kaluar, shërben për të kompensuar vetëm sipërfaqe, maksimalisht deri në 6000 metra katror, në qytetin e Tiranës, në një kohë që, qyteti i Tiranës, ka nevojë për kompensimin e mbi 20 milion metra katrorëve toke. Për këtë arsye, ky fond është jashtëzakonisht i vogël e nuk ka asnjë vlerë, përveçse është pjesë e demagogjisë se ne po japim diçka edhe pse është një pikë uji në oqean”.

Zbatimi i ligjit

“Ligji për legalizimin e të paligjshmëve, pra, të shkelësve të ligjit, pengon zbatimin për kthimin e kompensimin e pronave, madje atje ku ka kërkesa për legalizim, ligji për kthimin e pronave, nuk zbatohet. Pra, ligji i të ligjshmëve, nuk mund të zbatohet se favorizohen të paligjshmit. ALUIZNI,nga ana e tij, është një institucion që ka marrë fonde të palimituara nga qeveria shqiptare”

Për kompensimin

“Ligji i legalizimeve, realisht, nuk merret me pronarët. Ligji i legalizimeve bën legalizimet dhe ndan tokat e atyre shkelësve të ligjit, sepse të drejtën për të kompensuar pronarëtdhe detyrimin nuk e ka më ALUIZNI, por Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, detyrë që nuk është e përcaktuar për agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave, por është detyre e re që u ngarkohet nga ligji i ri i legalizimeve”

Për kompensimin financiar

“Asnjëherë qeveria nuk do të ketë mundësitë dhe kapacitetet për të kompensuar pronarët, sepse shifrat që dalin e që janë studiuar nga ne, por edhe nga faktori ndërkombëtar, del që kapin rreth 30 miliard euro. Nga të cilat vetëm pjesa e legalizimit i kalon të 6 milionë eurot .Unë mendoj se, jo kjo qeveri, por asnjë qeveri, nuk i ka kapacitetet, pasi duke favorizuar disa shkelës të ligjit, të cilëve çuditërisht toka po u jepet falas (nga 1 mijë lekë për metër katror), ndërsataksapaguesve shqiptar do t’u duhet të paguajnë shuma marramendëse, në favor të shkelësve të ligjit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›