E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dikur krenari, tani një “ish”

03/03/2005  Punëtorët mbrojtën nga shkatërrimi Uzinën e Telave

SHKODËR - Në periferi të qytetit të Shkodrës, në ish-zonën industriale të shpërfytyruar dhe të kthyer tashmë në një zonë informale, gjendet ende një uzinë, shumë e njohur para viteve ‘90, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë vendin tonë e në vëndet e tjera, në të cilat eksportoheshin prodhimet e saj cilësore. Kjo është Uzina e Telave Shkodër, e etiketuar dikur “Perla e kryeqendrës së Veriut“, jo vetëm për prodhimet e shumëllojshme, por edhe shumë cilësore. Uzina është e vetmja në zonën industriale të qytetit, që i ka rezistuar valës së shkatërrimeve për këto 14 vite. Kanë qenë vetë punëtorët e kësaj uzine që e kanë ruajtur me fanatizëm, duke filluar që nga porta hyrëse, oborri dhe repartet me makineritë moderne.

Uzina dje dhe sot

Por, ndërsa dikur ajo zhurmonte nga puna e 1750 punonjësve, sot makineritë e shumta heshtin, ndonëse janë në gjendje shumë të mirë. Në të vetmen uzinë shtetërore, sot prodhohet një sasi e vogël kablli për nevojat e KESH dhe janë të punësuar vetëm 30 punëtorë, të cilët përpiqen ta ruajnë dhe mirëmbajnë këtë pasuri jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë ekonominë kombëtare.

Ndërsa për vite të tëra ajo qëndron më shumë si krenaria e së kaluarës, kohët e fundit qeveria shqiptare është kujtuar se shpëtimi i saj është dhënia me koncesion.

Dhënia me koncesion

Pranë Ministrisë së Industrisë dhe Ekonomisë, tashmë janë depozituar kërkesat dhe planbizneset e disa shoqërive pretendente. Por një vendim i tillë nuk është mirëpritur, madje kundërshtuar nga specialistë dhe inxhinierë që për një jetë të tërë punuan aty.

Njëri prej tyre, Hashim Mokshi, kryeinxhinieri i kësaj uzine që nga ndërtimi i saj në 1966 deri në mbyllje në 1992, e quan krejtësisht të panevojshme dhënien me koncesion të kësaj pasurie kombëtare, e cila mund të sigurojë jo vetëm nevojat e vendit, por dhe mund të eksportojë pa frikë në tregjet perëndimore, pasi teknologjia e saj vazhdon të jetë bashkëkohore.

1965 fillimi

3 reparte

200 punëtorë,

600 tonë kapaciteti prodhues

1980 kulmi

18 reparte

1750 punëtorë

1480 tonë, kapaciteti prodhimit

Kryenxhinieri

Hashim Mokshi

“Uzina, pasuri e krenari, nuk ka pse jepet me koncesion”

”Si specialist i kësaj fushe, i specializuar dhe së fundmi në shtetet me teknologji të përparuar, mund të them se kjo uzinë me mundësitë dhe kushtet në të cilat ndodhet, mund t’i rikthehet shkëlqimit të dikurshëm, në qoftë se do të ekzistojë dëshira e mirë për ta ndihmuar të rimëkëmbet financiarisht, përkushtimi moral dhe social. Kjo uzinë ka aq kapacitete sa do të mund të furnizonte pa ndërprerje bizneset e vendit, që kanë të bëjnë me fushën elektrike, elektromekanike apo telekomunikacionin. Shtetet perëndimore e njohin shumë mirë cilësinë e prodhimeve të saj, ndaj do të ishte fare e lehtë dhe gjetja e tregjeve të shitjes jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë”, shprehet Mokshi.

Më tej kryeinxhinieri, ironizon edhe me llogaritjet e “spcialistëve” të sotëm.

“Nuk e kuptoj llogarinë që bëjnë disa specialistë sot, kur thonë se prodhimet e kësaj uzine janë jo rentabël, kur vetëm në koston e prodhimit, 73 për qind e zënë lëndët e para, fuqia punëtore, amortizimi, energjia elektrike dhe pagat, ndërkohë që norma e përgjithshme e fitimit është 25 për qind”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›