E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatër mortor



9 janar 2004 dhe 15 mars 2008 janë dy tragjedi të rënda ku institucione shtetërore janë përgjegjëse për secilën dhe drejtësia nuk ka mbaruar punë me asnjërën ngjarje. Por ajo që dallohet deri në fatkeqësi, është reagimi politik për tragjeditë, që ka standarde të dyfishta dhe në këtë mënyrë përcaktohet morali i njërës apo tjetrës njëherësh, duke lënë të fshehura shumë të pathëna. Opozitarët dukeshin sikur mezi e kishin pritur këtë përvjetor për të mbledhur pasuritë e tyre e për të nisur vajtimin e mungesës së një alternative. Harresë e një politikani nuk do të thotë aspak se mungon kujtesa e një qyteti apo një kombi. Pikërisht në këtë ditë proteste ndaj qeverisë, duke shfrytëzuar fatkeqësinë e Gërdecit, politika drejtuese e majtë nuk di se janë familjarë të viktimave të 9 janarit prej afro dy javësh në një grevë urie, pasi në varret e hapura nuk kanë trupa djemsh e vajzash që u vranë në tragjedinë e Karaburunit pesë vite më parë, kur ata ishin pushtetarë. Rama mund të shkojë dhe atje e të bisedojë e flasë me ta, por i duhet të lërë rrugës disa nga drejtuesit e partisë që ishin ministra e qeveritarë përgjegjës në kohën kur ka ndodhur ngjarja e s’mund të udhëtojë me tragjedi me vete. Ndërkaq, zelli i prokurorisë nuk ia ka dalë të mbyllë këtë hetim ndonëse ka një gjysmë dekade që ka nisur, kur ka fakte vërtet drithëruese, jo ata si të teatrit mortor që ngriti e majta dje në Gërdec. Pa dashur të bëjmë një bilanc tragjik, në janarin e 2004-s janë mbytur 20 qytetarë, humbur 8 dhe 11 të tjerë mbijetuan falë ndihmës italiane. Të humburit janë vetëm se të mbytur, por emërtesa e sajuar nuk ngushëllon asnjë nga familjet që kanë vendosur të sakrifikohen për pak vëmendje e drejtësi. Janë 28 viktima, dy më tepër se në Gërdec, dhe janë jetë njerëzish të pafaj ashtu si dhe në tragjedinë e 15 marsit të 2008-s. Por çuditërisht, shumë fakte janë përmbysur dhe përpjekje të familjarëve të Shkodrës nuk u vijnë fryte drejtësie. Kanë dëshmi të zyrtarëve të atëhershëm drejtues të rëndësishëm të Ministrisë së Brendshme dhe të Distriktit Detar të Vlorës që deklarojnë se një gomone ishte gjetur në orën 07 e 10 minuta dhe në të ishin tetë persona të mbytur. Ndërsa në dokumentin në dosje shënohej së pari që ishin tetë persona që nuk lëviznin, një ironi e djallosur e atyre që ishin përfaqësues të djeshëm të qeverisjes. Pra, një orë e 20 minuta më vonë se italianët të gjenin gomonen tjetër me 20 të mbytur dhe 11 të mbijetuar. Heshtja dhe deformimi për t’i shkuar deri në fund kësaj vrasjeje shtetërore është e dukshme dhe kriminale si tentativë. Duhen trajtuar me dhimbje dhe respekt viktimat, të afërmit e tyre pa përdorur vdekjen politikisht ,por pa nguruar që përgjegjësia të shkojë deri në fund. Të djathtët betejën për tragjedinë e janarit e bënë në Parlament dhe nuk organizuan ceremoni mortore rrugëve për të përdhosur kodin moral, ashtu si tjetër sjellje ofrojnë të majtët aktualisht.

Në këtë përdorje politike nuk është se shijonte aspak loja teatrore në recitim prekës të aktores Xhuvani. Sinqerisht, loja e saj në skenë thuajse në të gjitha rolet, është e mrekullueshme dhe e admirueshme. Por në skenën e mbushur me familjarë, që u kanë vdekur njerëz, loja e saj me porosi të kryesocialistit Rama, ngjante si një talent i çuar dëm që kujtonte poezinë e Nolit, ku ndër të tjera përmenden vargjet “ngrihuni e bjeruni...” Aktorja që pamë dje, nuk ngjante me Luiza Xhuvanin që nëse do kishte recituar emocionin e saj një vit më parë do kishte qenë sërish në cilësinë e lartësinë e përhershme. Ka dhe për tragjedinë e janarit një këngë nga këngëtari i njohur shkodran, Bujar Qamili, “Zëra në fund të detit” që vajton fatkeqësinë e jetëve të humbura, por që nuk ka në skenë politikanë që bëjnë spektatorin, gjoja të pikëlluar e duarmbushur me shami të lagura pa i fshirë sytë.

Në këtë teatër mortor, që është akti i fundit para anëtarësimit në NATO, Edi Rama ndihet në siklet për të arrestuarin Mihail Delijorgji. Dhe jo pa të drejtë ndoshta, nëse marrim si jo fort të dyshimta lajmet për lidhjet monetare mbi bizneset e të burgosurit me kryebashkiakun. Nga 30 pallate që po ndërtonte Delijorgji në Tiranë e që prodhojnë miliarda euro, tetë leje i ka marrë një javë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, sipas deklarimeve zyrtare të Partisë Demokratike dhe shoqatave të tjera. Por nuk ka përfunduar me kaq, pasi shqetësimi i kryebashkiakut nuk është vetëm elektoral. Avokati i Shtetit ka përgatitur padinë ndaj Delijorgjit për të kërkuar nga llogaria e tij 16 milionë euro për dëmin që ka i shkaktuar shtetit dhe viktimave. Ky është alarmi që ka mbërthyer drejtuesit e partive që u mblodhën dje në Gërdec, se mos, larg qoftë, një pjesë e llogarisë së tyre janë aksione te kjo shumë, që drejtësia duhet të vendosë t’i kalojë shtetit për përkujdesjen ndaj familjeve të viktimave dhe zonës së dëmtuar. Ky, sigurisht, është lajm për të dalë në protestë dhe grosistët socialistë e dinë mirë se si rebelohen, shembullin tragjik e kanë dhënë në 97-n, kur dikush kërkoi t’u vërë në rrezik paratë, ndonëse i kanë fituar dyshimtas. Thelbësore dhe e domosdoshme për qytetarët shqiptarë është që në të dyja tragjeditë të ndëshkohen fajtorët, përgjegjësit, sado të pushtetshëm e politikanë qofshin, nën sloganin “Drejtësi me çdo kusht”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›