SHERR MBI TMERR!
Nga Demir GJERGJI
Dita e djeshme e 15 marsit ishte pothuaj sozi e 15 marsit të një viti më parë: e kthjellët, e ngrohtë, e pafajshme si sy fëmije. Të ndryshme, madje të kundërta këto dy ditë bënte tragjedia. Si dje, një vit më parë, Gërdeci përjetoi një ferr të përmasave të paimagjinueshme. Brenda pak çasteve tragjedia u bë e të gjithë shqiptarëve. Nuk kishte kohë për të humbur mendjen. Plaga duhej mjekuar e shëruar. Nga të tilla ngjarje nuk janë të përjashtuara as edhe vende më të zhvilluara e më të qytetëruara. Jeta e njeriut dhe e shoqërisë nuk është sterile; brenda saj rrojnë bashkë gazi dhe helmi, tragjedia festa. Dhe shqiptarët me qeverinë e tyre treguan se ashtu siç i kanë shqisat për të ndier thellë dhimbje të tilla, po ashtu janë të aftë t’i përballojnë ato. Një reagim i shpejtë i të gjithëve bashkë dhe jeta filloi ta marrë përsëri veten duke i pushtuar ngadalë rrathët e ferrit të shpërthimit. Tani gjurmët e jetës duken edhe mbi gropën e kraterit. Ndërsa ditët e para të tragjedisë shumëkush që kalonte nga autostrada, përpiqej të mos i hidhte sytë mbi pamjet e rrënuara për të mos e përjetuar tmerrin, ndërsa tani 15 marsi i pas-një-viti, ka fytyrën e jetës: shtëpi të ringritura, pemë të rilulëzuara, peizazh i qeshur behari (ndërkohë që ligji është në kërkim të ndëshkimit të fajtorëve...). Gjithçka po e merr veten. Dhembin vetëm viktimat e asaj tragjedie, jetët që nuk janë më në trupa, dhembin plagët në trupat e atyre, që, për fat, shpëtuan.
Por ajo që na brengosi më shumë dje, ishte mënyra se si u përkujtua ky 1-vjetor i përzishëm. Është njerëzore të shkosh e të vësh një tufë zambakësh tek kryet e asaj tragjedie, është qytetari të ngresh zërin për mospërsëritjen e të tilla katastrofave dhe këtë, më parë u ka hije ta bëjnë ata që e përjetuan në shpirtin dhe fizikun e tyre ngjarjen. Përkundrazi, nuk është njerëzore që të kujtohesh pikërisht në këtë ditë për ta gërricur plagën për të arritur tjetër gjë nga ajo që u intereson protagonistëve, nuk është njerëzore që, në emër të viktimave të ngresh flamujt e politikës. Është e drejtë ta ngushëllosh tjetrin në fatkeqësi, por nuk është e drejtë që ta vësh atë nën komandën tënde për ta bërë bashkudhëtar të qëllimit tënd, sado i mbarë e mirë apo i mbrapshtë qoftë ai.
15 mars, një vit më pas: butafori politike, pranë kraterit të tmerrit dhe njëherësh pranë kraterit të politikës. Maska, ngjyra, parulla, manifestime, mitingje të ndryshme të kundërta. Shpesh në frazat dhe thirrjet e politikës harrohej fatkeqësia dhe merrej në shenjë kundërshtari. Krateri i shpërthimit të një viti më parë kthehej në krater ndarës mes krahëve dhe klaneve të politikës. Shqiptari e ka traditë që në rastet kur shkon për ngushëllim, ua jep dorën të gjithëve atyre që janë aty, madje edhe hasmit, nëse rastis. Kjo traditë e shumë të tjera u harruan dje. U harrua fakti se përballë ngjarjeve të rënda njeriu e do pranë njeriun për ta përballuar fatkeqësinë. Përkundrazi, dje u demonstruan dhjetëra variante mitingjesh, fjalimesh, parullash, kundërthëniesh e pështyrjesh, deklaratash e akuzash, me një fjalë, “tersët e Pojanit” hapën fushatat e zgjedhjeve të ardhshme pa thënë asnjë fjalë për atë më kryesoren, atë që qeveria, donatorët dhe shoqata të ndryshme, madje edhe jashtë atdheut, e kanë bërë me kohë dhe po vazhdojnë të bëjnë, pra nuk u shpreh askush në atë butafori politike se si duhet vepruar që njerëzit, pre e atij tmerri, të jetojnë normalisht dhe të sigurt, si të gjithë qytetarët e Evropës, në shtëpitë e tyre; nuk u tha asgjë se ç’është bërë e ç’lipset të bëhet më shumë për ta, për jetët e mëpastajme.
Thjesht, aktorët e një pjese të politikës luajtën një lojë maskash mbi atë skenë, ku një vit më parë njerëzit e thjeshtë, fëmijët, burrat, gratë, pleqtë, nuset ishin aktorë të një tragjedie të vërtetë njerëzore. Fatmirësisht, këta banorë dhe gjithë shqiptarët dinë sot shumë gjëra më tepër se dikur, kur politika luante mbi ta lojën makabre të diktaturës. Fatmirësisht, gjatë këtyre viteve ata dhe të gjithë shqiptarët, duke parë shumë, kanë mësuar shumë.
Ndaj dje e panë këtë butafori si një teatër arlekinësh dhe thjesht gjetën një arsye për t’i shtuar një buzëqeshje ironie fytyrës së pikëlluar nga tragjedia.
Sherri i djeshëm për tmerrin e një viti më parë nuk mund të bëhet pjesë e jetës së tyre. Shumë-shumë, ai mund të jetë subjekt i një anekdote që do të tregohet vite më vonë: Na ishin një herë ca politikanë që bënë sherr mbi tmerr.