Dilema e fermerëve shqiptarë
Gjendja e fermerëve shqiptarë në këtë fillim viti 2009, nuk ndryshon kushedi se çfarë nga ajo e afro një dekade e ca më parë, me përjashtim të faktit se tashmë shteti ka filluar të vjelë taksën modeste vjetore për tokën. Të pyetur këto ditë për gazetën Sot, se sa i rëndon financiarisht kjo taksë, fermerë të ndryshëm nga Lushnja, Berati, Kavaja e Durrësi, si dhe në disa komuna të tjera të prefekturës së qarkut të Tiranës dhanë pak a shumë të njëjtën përgjigje: Gjithsesi, mendojmë se është një detyrim simbolik, të cilën do t ja shlyejmë shtetit korrektësisht.
Por -shtuan ata- ne kemi të tjera halle të mëdha me tokën. Gati çdo vit kemi të njëjtin bilanc të dhimbshëm; për tokën më shumë harxhojmë, se sa fitojmë.... Natyrisht, ky konkluzion i tyre nuk ka dalë vetëm sot. Nuk ka dalë as vetëm para një viti. Janë mbi një dekadë e gjysmë përpjekje për ta bërë tokën bujqësore më prodhuese, më të dobishme dhe tregun e fermerëve shqiptarë më atraktiv për ta, si dhe për vetë qytetarët. Kam bindjen e palëkundur se emërtimin fermer jam i detyruar ta përdor në këtë shkrim më shumë për të qenë në sintoni me performancën e ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, në daljet e tij të rralla para publikut në konferencat për shtyp, se sa për hir të realitetit që ekziston në vend. Perifrazimi i saktë do të ishte se fshatarët shqiptarë vazhdojnë të heqin të zitë e ullirit. Kjo, për shkak të mungesës së mbështetjes me subvencione (të domosdoshme për momentin) nga shteti. Cikli i prodhimit të tyre, nis në mënyrë të trishtueshme me plugimin me kosto të lartë, për të vazhduar më pas me blerjen e plehrave kimike, me blerjen e herbicideve, të kimikateve për spërkatjet e shpeshta çdo dy javë, me vaditjet gjithnjë e më të reduktuara, për shkak të shkërmoqjes së strukturave të mirëmbajtjes së rezervuarëve artificialë, dhe mbyllet po në mënyrë të trishtueshme me daljen në treg, kur çmimi i shitjes së këtyre produkteve në merkatot e metropolit është ulur në minimum (!!). Shkaku dihet: Produktet bujqësore të vërshuara nga jashtë, bën që prodhimi vendas të jetë ashtu si në kaq e kaq vite të kaluara; gati i papërfillshëm, jo cilësor dhe që mbërrin me mjaft vonesë në treg.
Si kofini pas të vjelit, thotë populli. Duhen faqe të tëra për të shpjeguar gjithë faktorët që e sjellin këtë gjendje, por nuk është kjo e rëndësishmja. Kjo tashmë është një sëmundje e vjetër. Ka plot gjëra të tjera që nuk shkojnë. Sot askush nuk e di se si do të jetë pas dy, tre, katër, pesë apo dhjetë vjetësh harta e tokës bujqësore në Shqipëri. Nga ky këndvështrim, do të kishim disa pyetje që do të shtronim; të tilla si: Sa do të tkurret toka jonë bujqësore, për shkak të agresivitetit gjithnjë në rritje të biznesit të ndërtimeve? Si do të jetë raporti tokë djerrë- tokë e punuar në këto vite të afërt që kemi përpara, kur dihet se sa keq e kemi menaxhuar deri tani këtë pasuri të jashtëzakonshme kombëtare të vendit tonë? Dhe ç është më kryesorja: Kur do të kemi një treg bujqësor shqiptar konkurrues me atë të huaj? Gjithë sa thamë, mendoj se nuk mund të marrë një përgjigje ekzakte, pa një platformë të mirëstudiuar nga dikasteri i Bujqësisë dhe Ushqimit, me struktura të tjera të këtij shteti. E kemi parë ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, zotin Jemin Gjana, të marrë pjesë në festa të tilla popullore në disa zona, si: ndeshja e gjelave të detit, parada e lopëve pjellore, etj, etj, por rrallë herë, për të mos thënë hiç fare, të ulur në takime me fermerët për tu hapur atyre tema bisedash inkurajuese, si: mundësia e përdorimit të kredive bujqësore, apo si të përfitojnë nga projekte e donacione të huaja... Në biseda rastësore me intelektualë shqiptarë të kësaj fushe kam dëgjuar të flitet edhe për nisma të guximshme që duhet të merren nga ekspertët tanë të ligjeve për të favorizuar fermerët tanë, sa më shumë të jetë e mundur. Përse u dashka të pranojmë si të mirëqenë dhe detyrimisht taksative, një paketë të tërë ligjore me marrëveshje të nënshkruara që para 10-12 vjetësh mes Shqipërisë dhe OBT (Organizatës Botërore të Tregtisë), për produktet që hyjnë në vendin tonë gjatë stinës së verës? Asnjë tolerancë spaska në këtë aspekt? Shteti fare mirë mund të rishikojë këtë marrëveshje të rëndësishme në pika të veçanta të saj, në mënyrë që në kohën e pikut të prodhimit vendas, të stopohen një sërë produktesh bujqësore që hyjnë nga Maqedonia, Greqia, Italia, etj. Mos keni frikë, se nuk do të ketë krizë, për një masë fare të përkohshme, thonë ekspertët ligjorë. Natyrisht, kjo ndërhyrje e shtetit në tregun privat, të jetë vetëm për një moment, vetëm për një fazë të prodhimit vjetor vendas. Një tjetër aspekt i veçantë që do të donim të trajtonim në gjithë këtë sfond gri për bujqësinë shqiptare, është ai i eksperiencave të sjella nga jashtë, vitet e fundit nga emigrantët tanë. Vende-vende, si në Ndroq, Lekaj, Gërmenj, Gosë, në disa fshatra të Lushnjës, etj, janë krijuar ferma-model, gjithsesi me përmasa optimale, por që reflektojnë pak a shumë shembullin se si duhet të jetë e nesërmja e bujqësisë tonë. Këto ferma, që tani kanë krijuar tregun e tyre 100 për qind të garantuar në sezone të caktuara të vitit. Në këtë kontekst, firmat Dardha në Ndroq, Gosa në Kavajë, etj, duket se janë vetëm dallëndyshet e para. Duhet shumë e shumë punë. Më shumë se kurrë, tani kërkohet që Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, në bashkëpunim me donacione, projekte, subvencione e struktura të tjera të shtetit, të mbështesin fort fermerët shqiptarë, të cilët, mendoj se duhet thënë me zë të lartë: Janë para dilemave të mëdha.