Dilema e madhe, të blesh apo të mos kesh të huaj
Dilema mbi dobishmërinë e tyre dhe ndikimin pozitiv në rritjen e cilësisë është e madhe. Madje shpesh shndërrohet në një debat të nxehtë dhe të përsëritur midis specialistëve dhe ekspertëve të futbollit. Pasi janë më të paguar sesa futbollistët shqiptarë. Dhe në Shqipëri kjo ndodh prej 12 vjetësh, kur braziliani Edu de Souza u ble në vitin 1997 nga Lushnja e sponsorizuar nga firma piramidale e Rrapush Xhaferrit. Të dobishëm, apo nuk kanë dhënë asnjë kontribut në progresin cilësor të futbollit shqiptar. Të huajt vazhdojnë të jenë një temë e diskutuar në topkëmbën shqiptare. Në fakt, të huajt e parë në futbollin shqiptar datohen para vitit 1945, në kampionatet e zhvilluara në vitet 1930-1939. I pari mbetet një italian. Portieri Xhakomino Pozelli, i cili ka mbrojtur fanellën e Flamurtarit të Vlorës e të Tiranës, por dhe me ekipin Kombëtar shqiptar, kampion i Ballkanit, 1946 (13 tetor 1946), ku morrën pjesë Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Jugosllavia. Fluksi i vërtetë i “përmbytjes” së kampionatit shqiptar me të huaj nisi në vitin 1997, kur në Lushnjën e financuar atëherë nga fondacioni piramidal “Xhaferri” mbërriti braziliani i parë Edu de Souza, i transferuar nga skuadra greke e kategorisë së tretë, Panaigialios. Te verdhejeshilët luajtën në janar të vitit 1997 edhe braziliani tjetër Dos Santos e nigeriani Nosa. Lushnja pati luksin të ketë trajner edhe një emër të madh si argjentinasi Mario Kempes, i vetmi kampion bote që ka drejtuar në Shqipëri. Kempes nënshkroi një kontratë 2-vjeçare më 21 dhjetor 1996, me një vlerë prej 350 mijë dollarësh në vit, plus një rroge mujore 1500 dollarë. Aventura e tyre zgjati shumë pak për shkak të trazirave të periudhës së mbrapshtë të vitit 1997. Duke parë dhe statistikat e lojtarëve të huaj, vetëm pak prej tyre kanë lënë gjurmë e kujtohen edhe sot. Mesfushori virtuoz hungarezi Zoltan Kenesei u shpall me Tiranën, mbrojtësi i Vllaznisë e Partizanit, kongolez-gjermani Sasha Delain u dallua për lojën e fortë mbrojtëse. Regjisori brazilian Zheradinjo me fantazinë e tij u dha gjallëri mesfushës së Partizanit, Vllaznisë, Lushnjës e Apolonisë.
Partizani, streha e kuqe braziliane
Partizani, 15-hërë kampion i Shqipërisë, e që këtë sezon militon në Kategorinë e Parë, ka qenë “streha” e parë masive e futbollistëve nga vendi i Ronaldos e Ronaldinjos, madje fanellën e kuqe e kanë veshur rreth 20 futbollistë brazilianë, ku më të spikaturit kanë qenë Xhekson, Zhunior, Kardek, Xhunior, Marselinjo, Tiago, Paulinio, Kokinjo, Domingos, Mashado, Roma, Bruno Barboza e Felipe Macedo Kastelan. Ndërkohë që braziliani i parë i mbërritur në Shqipëri, Edu, ka luajtur për Lushnjën në vitin 1996, lojtarët e parë (4 të tillë) te Partizani mbërritën në janar të vitit 1998, pikërisht kur Partizani ndodhej për herë të parë në Kategorinë e Parë. Nga katër të ardhurit, falë dhe ndërmjetësimit të konsullit të nderit të Shqipërisë në Brazil, të ndjerit Hiqmet Pollo, vetëm njëri prej tyre, Xhovani Dos Santos, qëndroi në Shqipëri, ku veshi për pak kohë dhe fanellën e Teutës. Më pas në sezonin 1999-2000 erdhi gati një skuadër, dhjetë lojtarë, ku prej tyre vetëm, Abilio, Karioka, Xheradinjo, Brashini bënë emër në futbollin shqiptar. Prurja e dytë e madhe ka qenë ajo e sezonit 2003-2004 me një armatë të tërë braziliane: Marselinjo, Tiago, Paulinio, Kokinjo, Domingos. Brazilianët e fundit te Partizani, janë ata të sezonit të kaluar: Roma, Bruno Barboza e Felipe Macedo Kastelan, por të larguar shumë shpejt nga Shqipëria.
Jashtë fushe
Abdulla Ishaaka, viktimë e televizionit
Nigeriani ka qenë ndër të huajt më simpatikë që ka luajtur në Shqipëri, duke mbrojtur ngjyrat e Besës dhe Elbasanit. Një futbollist me humor, që guxoi të çonte në atdheun e tij edhe një gjel deti. Por kulmi i Abdulla Ishakasë arriti kur ra viktimë e spektaklit “Ishte lojë”, kur një vajzë me ngjyrë shqiptare i pohoi se kishte një djalë të paligjshëm me Abdullanë, ndërkohë që ky fundit priste një fëmijë me gruan e tij të ligjshme. “Çfarë bëra te tualeti? Normalisht në tualet isha në tension. Unë i tregova doktorit dorën për të më marrë gjak e për të kryer analizat e ADN-së, por ai më drejtoi për të shkuar në tualet. Unë nuk doja të pranoja se ai ishte fëmija im, pasi isha i bindur që unë nuk isha babai i tij, dhe shkova në tualet të më merrnin analizën e spermës. E provova, por nuk më ngrihej fare nga tensioni. Erdhi doktori dhe më pyeti: E mor Abdulla akoma se mbushe gotën? Nuk më ngrihej fare, edhe pse më sollën revista porno”, - tha ai gjatë një interviste për gazetën “Albania” (3 mars 2007). Organizatorët madje e detyruan të ejakulonte në praninë e kamerës së fshehtë. Më pas një shfaqje të transmetuar live i hodhën një kovë plot me kos në kokë. “Më hodhën kos në kostumin më të mirë”, - tha Dulla, siç thirrej shkurt Abdulla Ishaaka, i cili aktualisht luan në kampionatin kinez.
Barcaleta dhe rekordi i nigerianit Abraham
Nigeriani Abraham Alechenu është mbajtësi i një rekordi unikal në Shqipëri për futbollistët e huaj të aktivizuar në vendin tonë. Mbrojtësi trupvogël është shpallur 4-herë kampion me tre skuadra të ndryshme, dhe për më tepër në vazhdimësi: Elbasanin (2005-2006), Tiranën (2006-2007, 2008-2009) e Dinamon (2007-2008). Në ambientet futbollistike ekziston madje një barcaletë: “Nëse një skuadër synon të dalë kampion, duhet të blejë Abrahamin”. Nigeriani synon me skuadrën e tij aktuale, Tiranën, të thellojë rekordin e tij e të lërë gjurmë në librin e artë të statistikave të futbollit shqiptar. Abraham synoi edhe të merrte nënshtetësinë shqiptare, më synimin për të veshur fanellën e ekipit tonë Kombëtar, në kohën kur ishte trajner Ari Hani. Mbrojtësi i majtë e nisi karrierën e tij në Ersekë me Gramozin, ku merrte diçka më shumë se 200 mijë lekë të vjetra, ndërsa sot Abrahami nuk e ul pazarin nën disa milionë.
Gudjabi mashtron me 20
mijë dollarë Skëndërbeun
Disa nga të huajt janë larguar duke lënë prapa përshtypjen më të keqe. Sulmuesi afrikan El-Haxhi Gudjabi e braktisi Skënderbeun e u zhduk pa lënë adresë, pasi kishte marrë këstin e parë prej 20 mijë eurosh. Edhe pse u bë disa herë i gjallë me “cërre” ish-sulmuesi i Dinamos nuk u shfaq më në Korçë.
Karikoka zhduket me 15
mijë dollarë nga Partizani
Sulmuesi brazilian i Partizanit, Antonio Vana Karioka, ishte një lojtar cilësor, që dallohej për shpejtësinë e tij dhe nuhatjen para portës. “Karioka” një ditë të bukur u largua në mënyrë misterioze nga Shqipëria në fillim të sezonit 2006-2007 vetëm një javë më pas, pasi presidenti i “demave” i kishte paguar një shumë prej 15 mijë dollarësh. Arsyeja deklaruar? Karioka kishte motrën sëmurë. Një gënjeshtër me bisht.
Ngatërresa, Abilio
arrestohet për vrasje
Braziliani Abilio është një ndër lojtarët e huaj më të spikatur në kampionatin shqiptar. Ish-futbollisti i Partizanit e Vllaznisë, por u arrestua në një aeroport të Brazilit për vrasje, pasi policia e Mato Grosos kishte ngatërruar me vrasësin e vërtetë me te cilin kishte emër të ngjashëm. Për herë të fundit në Shqipëri luajti me Dajtin në pjesën e parë të sezonit 2008-2009.
5 Tetor 2009