Virozat e stinës, fluks pacientësh në Pediatrinë e Tiranës
Emanuela Sako
Virozat e stinës kanë çuar në Pediatrinë e Tiranës dhjetëra fëmijë të vegjël. Tashmë që temperaturat kanë rënë, fëmijët janë të parët që e ndiejnë ndryshimin e motit dhe preken nga virozat e stinës. Mjekja pediatre, Dhurata Meta, shprehet se prindërit shqetësohen për fëmijët për shkak të ndërlikimeve të ndryshme që mund të japin këto viroza. Ajo, thekson se shqetësimi më i madh është nga prekja me virusin A/H1N1. Mjekja pediatre, shpjegon se për të shmangur këto situata, prindërit duhet të drejtohen menjëherë në spitale për të marrë konsultat e nevojshme. Nëse virozat kapen që në fazat e para, atëherë sëmundja nuk mund të përparojë dhe shmangen komplikacionet e tjera, sidomos në rastet kur fëmija vuan nga ndonjë sëmundje tjetër.
Simptomat
Virozat e stinës kanë simptoma të dukshme te fëmijët. Mjekja Meta shprehet se simptomat e para të virozave të stinës apo gripit janë bllokim i rrugëve të frymëmarrjes, bark, të vjella dhe temperaturë të lartë. Këto janë disa nga simptomat më të zakonshme që shfaqen në moshat pediatrike, me të cilat drejtohen fëmijët në spitale. Në një pjesë të rasteve fëmijët kanë marrë mjekimin e nevojshëm në spital dhe më pas janë larguar në familjet e tyre. Ndërsa në raste të tjera komplikacionet kanë qenë të mëdha dhe të vegjlit janë shtruar në spitale. Mjekët u rekomandojnë prindërve që të trajtojnë fëmijët me antibiotikë, por asnjëherë pa marrë rekomandimin e mjekut.
Shfaqja
Uljet e temperaturave shtojnë rastet e të prekurve nga virozat e stinës. Janë me qindra viruse që qarkullojnë në ajër, të cilat në kushte të përshtatshme, shumohen dhe bëhen patogjenë për organizmin. Aktualisht, me uljen e temperaturave, kolla dhe sëmundjet e fytit janë virozat më të pranishme te të gjithë njerëzit. Virozat, ose siç njihen ndryshe katare stinore, në këtë ndërrim temperaturash janë pothuajse normale. Shenjat janë thuajse të njëjta, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë e temperaturë. Por, sipas mjekëve, ky nuk është grip. Madje edhe nëse përsëritet, sërish nuk kemi të bëjmë me grip. Shpesh njerëzit i ngatërrojnë virozat e stinës me gripin, por ky i fundit është tjetër gjë, pasi ka shtrirje dhe përhapje më të gjerë nga katari stinor. Përveç rasteve me katare stinore, në këtë stinë paraqiten dhe raste të alergjive dhe bronkiteve kronike, që në këtë periudhë të vitit rishfaqen.
Mjekët tregojnë shkaqet e shfaqjes së virozave
Shkaqet e shfaqjes së virozave të stinës janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, luhatjet e theksuara të temperaturës, lagështia, ndotja e ambientit, të cilat shkaktojnë probleme në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, në faring dhe laring. Më të predispozuar për t’u prekur nga këto viroza janë personat alergjikë, të cilët janë më të ndjeshëm nga ndryshimet klimaterike dhe cilësia e ajrit. Por nga këto raste nuk përjashtohet asnjë njeri. Duke qenë se virusi i gripit të derrit mund të gjendet gjithandej, të gjithë janë të rrezikuar për t’u prekur nga të tilla viroza. Simptomat kryesore që shfaqin virozat e stinës janë teshtimat, bllokim e kullim hundësh, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, temperaturë të lartë. Pacienti, në të njëjtën kohë, shfaq mungesë oreksi, dhimbje koke dhe kollë. Këto shqetësime mund të zgjasin deri dhe në 4-5 ditë dhe më pas shenjat kryesore zbuten, derisa pas një jave zhduken plotësisht dhe mund të mbetet vetëm kolla. Nëse kalon mbi këto ditë mund të mendohet për komplikacione. Këto mund të jenë një trake bronkiti, bronkiti difuz dhe bronkopneumonia. Sipas mjekëve, shenjat e komplikacioneve janë mjaft të dukshme. Kështu, nëse temperatura më pas është qetësuar dhe rishfaqet sërish e lartë, duhet të mendojmë se ka komplikacione. Kur kolla është me sekrecione, shtohet dhe bëhet më e fortë kur pacienti ka dobësi të përgjithshme, dhimbje kraharori, humbje të oreksit, kemi të bëjmë me komplikacione dhe sa më parë duhet bërë kontrolli te mjeku, për të marrë trajtimin e duhur me antibiotikë.
ISKSH: Të gjithë pacientët në spitale do të regjistrohen nga mjekët
Asnjë pacient që do të vizitohet në spital nuk do të kalojë pa u shënuar nga mjekët. Kjo, pritet të ndodh menjëherë pas futjes së spitaleve në skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, proces i cili ka nisur një vit më parë. Drejtoresha e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana shprehet se çdo para që vjen nga vizitat e pacientëve në spitale nuk do të shkojë më në xhepat e mjekëve në mënyrë të pakontrolluar. “Paraja që do të vijë në mënyrë zyrtare, do të shkojë për pacientin, mjekët do të evidentojnë në fund të çdo dite vizitat, pacientët e shtruar, ditët e qëndrimit, diagnozën, mënyrën e mjekimit, medikamentet dhe gjithçka tjetër”,- Elavana Hana. Por futja e spitaleve në skemën e sigurimeve, jo vetëm që do të sjellë shërbim cilësor për pacientin, por do të bëjë që shumë shërbime të ofrohen edhe në spitalet rajonale duke bërë që pacientët të mos vijnë të gjithë në Tiranë për kurim. Një tjetër faktor i rëndësishëm me futjen e spitaleve në skemë, është edhe vendosja e menaxherëve në krye të tyre në mënyrë që të mirëmenaxhohen fondet.
5 Tetor 2009