“Miss Globe International”, surprizat e edicionit të fundit
Sivjet turi i bukurosheve nga 56 vende të botës do të fillojë në jug të Shqipërisë. Për herë të parë konkursi i bukurisë do të shkelë rrugën e re të Bregut, por do të lançojë edhe “Rrugën e Kombit”. Nga Jugu bukuroshet e të gjithë botës do të prekin Veriun e më pas Kosovën. Dhe jo rastësisht. Sepse misioni i këtij viti i “Deliart Association” është lançimi i markës, Made in Albania dhe Made in Kosova Është shënuar këtë fillim muaji starti i “Miss Globe International 2009”. “Deliart Association” dhe producenti Petri Bozo, si mbajtës i patentës dhe të drejtës së organizimit të këtij eventi, është shndërruar për të gjashtin vit në mikëpritësin e bukurosheve nga katër anët e botës, të cilat edhe këtë kësaj here do të garojnë në Shqipëri për titullin e më të bukurës së Globit, në edicionin e 36 të këtij spektakli. Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë event 56 vende të botës, të shtrirë në një hartë që fillon nga Amerika e deri në Lindjen e Largët. Ndërkaq, organizatorët kanë hartuar edhe detajet e udhëtimeve dhe minispektakleve, pjesë e këtij konkursi, turi i të cilit sivjet do të shkojë nga Jugu, në Veri e më pas në Kosovë, vizita në të cilën parashikon një program të zgjeruar, të mbushur me aktivitete dhe bashkëpunime me artistët kosovarë. Kjo sepse janë shumë qëllimet që organizatorët i kanë vënë vetes për këtë edicion. Si mision i parë, është ai i që Petri Bozo e ka shpallur që vitin e parë të organizimit të “Miss Globe”: T’i rrëfejë botës një Shqipëri ndryshe, t’i bëjë me dije globit mbarë se cilët jemi në të vërtetë e mbi të gjitha të kontribuojë në integrimin e vendit. Kështu, nëse vitin e kaluar pjesa e hartës shqiptare e zgjedhur për turin e bukurosheve të mbarë botës ishte Shqipëria e Mesme, sivjet është Jugu, Veriu dhe Kosova bashkë. Në këtë mënyrë, Drejtorët Nacionalë, të pranishëm çdo vit në Shqipëri, do të kenë mundësi të prekin nga afër vende të reja të bukura të të gjitha trevave shqiptare, të shënojnë ndryshimet që shënon çdo vit Shqipëria, njëherësh të bëhen dëshmitarë të një vendi, që edhe pse i vogël ka plot vende për të vizituar. Por gjithashtu edhe vajzat pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të shijojnë peisazhe të mrekullueshme, nga Himara e deri në Gjilan
Turi në Shqipëri
Datat e përcaktuara për mbërritjen e vajzave konkurrente në Shqipëri janë 14-16 tetor dhe mikëpritësi i tyre do të jetë Hotel “California” në Golem, Durrës. Më 17 starton turi nëpër Shqipëri me destinacion të parë Trebeshinën, një vend me peisazhe mahnitëse por edhe një industri të re, të fjalës së fundit të teknologjisë, për fabrikimin e ujit të kulluar që buron aty. Mbasitën e të shtunës së 17 tetorit vajzat do të vizitojnë Himarën. Për herë të parë ky konkurs do të ndjekë rrugën e re të Bregut dhe në program janë parashikuar edhe udhëtime me motora Harley Davidson dhe grupin e djemve shqiptarë të apasionuar pas tyre, të mbledhur në shoqatën ”Steel Ëings” Association, Harley Davidson motors”. Gjatë rrugës do të vizitohet Porto Palermo dhe kalaja e ngritur nga Ali Pashë Telepena më 1700-ën. Data 19 tetor do ti gjeje ato në Durrës, ndërkohë që në hotel California do të organizohet minikonkursi i parë “Miss Bikini”. Një ditë më pas turi do të ndjekë drejtimin e Veriut të Shqipërisë. Qyteti i parë ku vajzat do të ndalojnë do të jetë Shkodra. Gjatë këtij rrugëtimi është programuar minikonkursi tjetër, “Miss Talenti”. Secila nga vajzat janë përgatitur për këtë event dhe çdonëjra do të interpretojë në muzikë, kërcim, aktrim, pikturë etj. Data 21 do t’i gjejë ato në Kukës, prej nga do të nisë një tjetër pjesë e këtij rrugëtimi të gjatë siç është vizita në Kosovë.
Rrugëtimi në Kosovë
Mbasditja e 21 tetorit ka për t’i gjetur bukuroshet e “Miss Globe International” në fshatin turistik Sharri, ku do të përgatitet darka mikpritëse dhe do të zhvillohet takimi i parë me pjesëmarrjen e personaliteteve të vendit. Grupi do të jetë rreth 75 persona, sëbashku me artistët e ftuar, të cilët do të performojnë në mbrëmje. Ajo që është më interesante mbetet fakti se konkurentet do të jenë edhe në tryezat e të ftuarve, duke u bërë pjesë e bisedave dhe duke shkëmbyer me ta komente, një mënyrë kjo për të dhënë e marrë përvoja. Të nesërmen grupi do të niset për në qytetin e Prizrenit. Vajzat do të jenë të shoqëruara nga personazhe e personalitete të Prizerenit dhe guida do të realizohet nga z. Parim Kosova, përgjegjës i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Më 24 tetor vajzat do të ndalen në Pejë me sfilata, interpretime dhe minikonkurse të tjera. Stacioni i radhës është Gjakova dhe një tjetër spektakël në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti. Pas Gjakovës, në radhë për t’u vizituar vjen Gjilani. Gjatë gjithë këtij turi vajzat do të jenë të ndara në grupe me nga dhjetë vetë, për të qenë protagoniste në minispektakle të ideuara për secilin nga këto qytete. Nuk bëhet fjalë vetëm për pasarela, sfilata të shumëllojshme dhe argëtim. Këtë vit, në bashkëpunim me stilistë të njohur të secilit nga këto qytete do të organizohen sfilata të vërteta mode. Kështu, në Gjakovë vajzat do të parakalojnë mbi pasarelë me veshjet e firmosura nga Bora, ndërsa në Prizren nga Arjeta. “Disa nga vendet pjesëmarrëse ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë producenti Petri Bozo. “Pikërisht përfaqësueset e bukurisë së këtyre vende do të ngrenë flamujt e tyre atje dhe ky është një hap më shumë për njohjen dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës. Një hap domethënës, një kontribut në misionin e të gjithë shqiptarëve”.
Risitë
E re tjetër interesante e këtij viti është pjesëmarrja e shumë vendeve për herë të parë në “Miss Globe Interantional”. Siç ka ndodhur çdo vit, përfaqësuese shqiptare, të përzgjedhura nga konkursi kombëtar “Miss Shqipëria” kanë përfaqësuar vendin tonë në evente të shumta ndërkombëtare. Kjo ka bërë, jo vetëm që vetë vendi ynë të përfaqësohet me dinjitet e të njihet në mbarë botën, por edhe të dallojë si vendi që mban patentën e organizimit të një konkursi, i treti për nga rëndësia në botë, siç është “Miss Globe International”. Urat e lidhjes se “Deliart Association” kanë funksionuar pra, duke rritur numrin e vendeve që do të bujtin në Shqipëri këtë tetor. Duke e shtrirë edhe më shumë misionin që “Deliart Association” i ka vënë vetes këtë vit: Lançimin e markës Made in Albania dhe Made in Kosova.
Ndërkaq, në “Miss Globe International” edhe këtë vit do të garojnë dy vajza shqiptare, “Miss Shqipëria 2009”, Ertemjona Mejdani dhe “Miss Kosova 2007”, Arbnora Ademaj, rastësisht njëra bionde e tjetra brune. Këto ditë konkurentet do të nisin shtegëtimin, pjesë e zakonshme e këtij aktiviteti, të shtrirë në një hartë që nis në Himarë e përfundon në Gjilan. Më pas, si gjithmonë, stacioni i fundit do të jetë Shqipëria. Këtë vit mbrëmja e spektaklit ët madhe është menduar të mbahet në Pallatin e Sportit në Durrës, një rikthim në qytetin ku “Miss Globe International” u mbajt për herë të parë në Shqipëri, gjashët vjet më parë. Mbrëmjen e 1 nëntorit do të dalë fituesja e radhës, ajo që Miss-i në fuqi, Almeda Abazi do t’i dorëzojë kurorën e më të bukurës së globit për vitin 2009.
5 Tetor 2009