Legjionarët e huaj, si e kanë pushtuar futbollin shqiptar
Te Dinamo e Tiranës ekziston një “koloni” argjentinase, te Apolonia e Fierit mbizotëron klani “serb”, ndërsa te Skëndërbeu i Korçës me nuanca kroate. Besa dikur e “pushtuar” nga afrikanë, meksikanë e haitainë me pasaportë franceze, tashmë nuk ka asnjë të huaj jo-shqiptar në gjirin e saj. Gjithsesi, te verdhezinjtë e
Bizhdilit janë tre futbollistë kosovarë. Të paktën tek të 12 skuadrat e Superligës të sezonit 2009-2010 militon një futbollist i huaj. Kombësitë janë të ndryshme, maqedonase, serbe, kroate, braziliane, malazeze, nigeriane, zambiane. E shumë syresh i gjen edhe në Kategorinë e Parë, madje dhe në të Dytën, si në Mamurras (Ambruzo) apo dhe në Kukës (Achile). Gjithesi numri i tyre ka ardhur duke u reduktuar nga sezoni në sezon, kjo edhe për shkak të rregullit të vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku një skuadër nuk mund të hedhë në fushë gjatë një ndeshjeje më shumë se 5 futbollistë të huaj.
Paguhen shumë, por shënojnë pak
Nëse në kampionatet e huaja lojtarët më kombësi tjetër nga kampionati i vendit ku ata aktivohen, është normale që fitojnë “Këpucën e artë’, sezonin e kaluar, bie fjala në Serinë A në Itali, golashënuesi më i mirë ishte Zlatan Ibrahimoviç i Interit, (25 gola), në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë që një i huaj të fitojë këtë trofe individual. Gjithsesi, disa prej tyre kanë qenë pranë. Në sezonin 2005-2006 senegalezi El-Haxhi i Dinamos fitoi “Këpucën e artë” për të huajt, duke shënuar 16 gola, duke qenë shënuesi i tretë më i mirë. Në sezonin 2006-2007 ishte kongolezi Sasha Delian i Vllaznisë ai që u shfaq në rolin e protagonistit. Në sezonin 2007-2008, kroati Pero Pejiç, me 18 golat e realizuar, u rendit i dyti pas Vioresin Sinanit (20 gola). Gjatë 5 javëve të para të sezonit aktual spikasin kroatët Rukavina e Gurrib (të dy me Skënderbeun. nga dy gola), serbët Mlladen Bërkiç (2) e Sead Haxhibuliç (1) me Apoloninë, braziliano-kroati Alvizh (1) me Flamurtarin dhe argjentinasi Malarcane (1) me Dinamon.
Kampionët e huaj në Shqipëri
Ka disa lojtarë të huaj kampionë në Shqipëri. Tirana, kampione e sezonit 1999-2000, kishte në gjirin e saj katër lojtarë hungarezë: Zoltan Kenesei, Peter Sutori, Laszlo Vukovics dhe Matyas Lazar. Vllaznia, kampione e sezonit 2000-2001, kishte portier malazezët Milos Krstaiç, Sasha Marash dhe Serdjan Radonjiç. Dinamo, kampione e sezonit 2001-2002, kishte në gjirin e saj ukrainasin Sergei Romanshin. Tirana kampione e sezonit 2002-2003 kishte në formacionin e saj nigerianin Emanuel Egbo, holandezin Jan Veenhof dhe italianin Daniele Zakanti. Elbasani, kampion në sezonin 2005-2006, pati në gjirin e tij nigerianin Abraham. Tirana, kampione e sezonit 2006-2007, kishte brenda edhe kamerunasin Abada Fish, kolumbianin Diomedes Penja dhe nigerianin Abraham. Te Dinamo, kampione e sezonit 2007-2008, ishin katër kroatë: Goran Vinçetiç, Goran Graniç, Pero Pejiç e Dario Bodrusiç, si dhe nigeriani Abraham e senegalezi Pape Diop. Sezonin e kaluar te Tirana ishin maqedonasi Pece Korunovski, kroati Toni Pezo, nigeriani Abraham Alecheneu dhe shqiptaro-kroati Lekë Kcira.
Kur “derën” ta mbyll i huaji
Italiani Xhakomo Pozelli është dhe i pari portier i huaj që ka luajtur me një skuadër shqiptare, Flamurtarin e Tirannë, madje ka mbrojtur edhe portën e ekipit tonë kombëtar në fillimet e tij. Në sezonin aktual aktivizohen dy portierë të huaj. Te Tirana luan maqedonasi Pece Kuronosvki dhe te Skënderbeu, Marian Tomashiç. Pas viteve ‘90 portierët e huaj janë më shumë të pranishëm në skuadrat tona, duke filluar me nigerianin Emanuel Egbo (luan aktualisht te Bylisi), egjiptiani Naser (ka luajtur me Tiranën në kohën e ish-presidentit El-Sajed), polaku Premislav Norko (Partizani), kongolezo-francezi Gutemberg (Partizani). Te Vllaznia është aktivizuar gjermani Lutz Phanevstil, te Besa shqiptari nga Maqedonia, Suad Zendeli (më parë ka luajtur edhe për Dinamon e Apoloninë), maqedonasi Mirselovski te Bylisi
Sezoni 2009-2010, Superliga me 37 lojtarë të huaj
37 lojtarë të huaj të mirëpaguar në një kampionat shqiptar i thonë realisht “ndal!” në mënyrë të pamëshirshme formimit, zhvillimit dhe shfaqjes së talenteve shqiptare të futbollit tonë modest. Ja dhe numri i tyre sipas ekipeve:
APOLONIA: 6
Apolonia e Fierit e këtij sezoni ka pesë lojtarë në gjirin e saj, ku mbizotëron “flamuri” serb përfaqësues: Semir Haxhibuliç, Sead Haxhibuliç, Mladen Kërkiç, Kenan Ragipoviç, Edin Ferizoviç, Charles Ofojeh. Edhe trajneri aktual i Apolonisë është një serb, Esat Karishik.
BESA: 3
Skuadra kavajase në sezonin 2006-2007 kishte 10 lojtarë joshqiptarë. Në sezonin aktual ka tre lojtarë: Liridon Leci, Gëzim Krasniqi, Alban Dragusha.
DINAMO: 5
Blutë herë janë shfaqur në variantin afrikan, herë në atë latino-amerikan dhe së fundi në versionin argjentinas. Dinamo e sezonit 2009-2010 ka në gjirin e vet tre futbollistë argjentinas: Lukas Malarkane, Rafael Alfredo de Soza dhe Nikolas Delmonte. I përjetshëm është senegalezi Papa Diop. Serbi Marko Putincanin kompleton legjionin e huaj.
FLAMURTARI: 4
Trendi kroat ka kohë që “fryn” në Vlorë. Braziliano-kroati Roberto Alviz shoqërohet nga kroatët Darko Djukiç e Marko Bashiç si dhe nga braziliani Flavio Zhunior.
GRAMOZI: 6
Gjatë këtij sezoni nën urdhrat e ish-trajnerit Ilir Qirjako e atij aktual Agim Canaj janë Markos Dos Santos, Jurandir Rodrigues Oliveira, Leonardo Martins dhe maqedonasi Alesandër Gosevki. Në formacionin kolonjar janë dhe kosovarët Liridon Kukaj e Shpëtim Babaj.
TEUTA: 1
Skuadra durrsake ka në gjirin e saj kosovarin Berat Hyseni.
LAÇI: 0
Asnjë lojtar i huaj nuk figuron në kampin e laçjanëve.
KASTRIOTI: 1
I vetmi lojtar i huaj i regjistruar në gjirin e krutanëve të Ramazan Ndreut është afrikani nga Zambia, Januari Ziambo, por në listë cuditërisht është dhe kroato-shqiptari Pllumb Jusufi.
TIRANA: 2
24- herë kampionët gjithmonë janë dalluar lojtarë të huaj cilësorë, qofshin këta hungarezë, holandezë, maqedonas, kamerunas, nigerianë, francezë, peruanë e të tjerë. Aktualisht në dispozicion të bluve janë maqedonasi Pece Korunovski dhe nigeriani Abraham Alecheneu, pavaësisht sezonin e nisi edhe francezi Laurent Mohelebi.
SKËNDERBEU: 4
Skuadra korçare është në version kroat, nga porta në sulm: Marian Tomashiç, Antonio Rukavina, Milain Guerrib, Matko Djamati.
SHKUMBINI: 2
Peqinasit i kanë pasur traditë lojtarët e huaj. Aktualish në forcë me Shkumbinin janë: boshnjaku Ahmed Mujdragiç, maqedonasi Sasho Gjoreski.
VLLAZNIA: 3
Te Vllaznia luajnë aktualisht edhe kosovari Ilir Nallbani dhe malazezët Zeljo Mrvaljeviç e Blaze Rajoviç.
Surpriza Gramozi në versionin “samba”
Kur Gramozi i Ersekës u ngjit për herë të parë në Kategorinë Superiore, pasi mundi në play-off Bylisin me rezultatin e bujshëm 5-2, një meritë të padiskutueshme patën tre futbollistë brazilianë: Marko Dos Santos, Leonard Martins dhe Rodriguez Oliveira, por dhe Abduraman Muhamadou (nigerian) dhe Aleksandër Trajanavoski (maqedonas). Gjatë këtij sezoni nën urdhrat e ish-trajnerit Ilir Qirjako e atij aktual Agim Canaj janë Markos Dos Santos, Jurandir Rodrigues Oliveira, Leonardo Martins dhe maqedonasi Alesandër Gosevki. Në formacionin kolonjar janë dhe kosovarët Liridon Kukaj e Shpëtim Babaj.
Rekordi i Besës, 10 lojtarë të huaj
Duke iu referuar shifrave të regjistrimit në FSHF, Besa e Kavajës, me 10 futbollistë joshqiptarë, në sezonin 2006-2007 ka thyer rekordin e skuadrës së Dinamos që në vitin 2005 në ndeshjen e Kupës Intertoto, Dinamo-Varteks 2-1, ku aktivizoi 7 të huaj: Suat Zendeli nga Maqedonia, Diop, Gaye dhe Gudjaby nga Senegali, Koné nga Mali, Escudero nga Argjentina dhe Marino nga Peruja, pa llogaritur trajnerin Ramon Kabrero nga Argjentina. Më parë ishte Partizani, në vitin 2002, ku në ndeshjen e Kupës UEFA, Hapoel Tel Aviv-Partizani 1-0, në formacionin e tij të parë kishte 6 futbollistë të huaj: brazilianët Brashini, Abilio, Zheraldinjo, Karioka, Princ dhe Delain.
5 Tetor 2009